Pyetja:

Pse aq shumë përmendet Musa (alejhi selam) në Kuran?

***

Përgjigjja:

Përmendja e Musës alejhi selam në shumë ajete kuranore padyshim është si pasojë e sprovës që ka pasur me faraonin. Faraoni përmendet me një ushtri të madhe, ndërsa në nën tjetër Musa si një individ, i cili i vetëm qëndronte përballë faraonit dhe gjithë ushtrisë së tij.

Ajo që është e rëndësishme këtu në këtë rast, është se Musa alejhi selam është i luftuar nga faraoni dhe është i ndjekur prej tij para se të lind. Prej ditës kur ka ngelur shtatzënë, nëna e Musës alejhi selam ka qenë e përndjekur nga faraoni. Dhe këtë e përmendin ulematë si urtësi. Pse? Sepse nga lajmi që e kanë dhënë sihërbërësit se ka me lind një djalë i cili ka për t’ia marr fronin faraonit, ai ka dhënë urdhër që çdo grua e cila është shtatzënë me u ndjek që kur të lind, nëse do të lind djalë, ai djalë me u pre.

E nëna e Musës alejhi selam që nga momenti kur ka ngel shtatzënë me Musën, është ndjek nga faraoni dhe ushtria e tij. Paramendoni ende duke qenë ai (Musa) pikë ujë, është ndjekur vazhdimisht. Por, Allahu kur do të bëjë diçka thotë:”Bëhu!”, dhe ajo bëhet. E urdhëron që Musën me e hudh në lumë dhe lumi e merr dhe e dërgon Musën alejhi selam përpara pallatit të faraonit. Dhe Allahu tregon në Kuran se vendosi në zemrën e gruas së faraonit, posa e ka parë e ka dashur Musën alejhi selam. Askush nuk ka mundur të ia marr nga duartë (dashuri për Musën si fëmijë, ngase ai ende nuk ka qenë pejgamber).

E gruaja e faraonit tha: “Shpresë gëzimi për mua dhe për ty, mos e mbytni atë, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta adoptojmë si fëmijë.” (Kasas: 9)

Allahu për të ia hequr mërzinë nënës së Musës alejhi selam, e ka bërë që Musa mos të pijë gji prej asnjë gruaje tjetër përpos se prej nënës së tij. Prapë e ka dërguar Allahu në shtëpinë e tij, prapë e ka dërguar tek nëna e tij që edhe asaj të ia largojë mërzinë. Kështu të dyja (gruaja e faraonit dhe nëna e Musës alejhi selam) e kanë dashur dhe të dyja kanë qenë të lumtura me të. Por faraoni nuk e ka arritur qëllimin e tij, ndonëse ka bërë shumë zullum duke prerë të gjithë ata fëmijë mirëpo, prapë Musa alejhi selam ka mbetur gjallë. Ka qenë i luftuar ende pa qenë pejgamber, ende pa qenë i lindur ka qenë i përndjekur, fletëvrasje ka pasur (në gjuhën tonë)për të.

Dhe pastaj është sprovuar duke i qëndruar përballë faraonit me gjithë ushtrinë e tij. Sprova tjetër që e ka pasur Musa alejhi selam është se ka belbëzu, por megjithatë nuk është dorëzu dhe nuk ka pasur turp të flasë, ka thirrur në fe. Më pas është sprovuar me Beni israilët, domethënë e ka kryer sprovën me faraonin Allahu e shkatërrojë e më pas vazhdon sprova me Beni Israilët.

Do të thotë këto janë disa nga shkaqet të cilat e bëjnë Musën alejhi selam të përmendet më shumë në Kuran. Çka është tjetër e rëndësishme, është se Allahu i përmend të gjitha llojet e sprovave në Kuran në shumicën e rasteve për t’i dhënë durim edhe Pejgamberit ﷺ. Për t’i treguar Pejgamberit ﷺ se edhe vëllau yt Musa është sprovuar sikurse ti, edhe ai ka pasur sprova të ndryshme. Për këtë shkak shpeshherë kur përmenden sprovat e ndryshme të Pejgamberit ﷺ, para se të përmendet ajo sprovë përmendet Musa alejhi selam, përmenden Beni Israilët, përmendet faraoni.

Të gjitha këto janë me urtësi që ne të marrim mësim nga këto ngjarje, se si janë sprovuar pejgamberët do të sprovohen edhe besimtarët të cilët e ndjekun rrugën e tyre. Aq më shumë që e ndjekun rrugën e pejgamberëve, aq më të mëdhaja janë sprovat.

Allahu e di më së miri

Hoxhë Muharem Ismaili