Pyetja:
E kam lexuar këtë tekst në një faqe interneti dhe dua të di sa është i vërtetë:
“Thëniet e dijetarëve të hershëm muslimanë që vërtetojnë se Allahu është mbi të gjitha krijesat e Tij janë të shumta për t’u përmendur në këtë përmbledhje. Dijetari i haditheve të shekullit të 15-të, Imam Edh-Dhehebiu, shkroi në një libër të titulluar El-Uluu lil-Alii el-Adhiim në të cilin ai mblodhi thëniet e më shumë se 200 dijetarëve të mëdhenj të hershëm që konfirmonin se Allahu është mbi të gjitha krijesat e Tij. Një shembull i mirë për këto thënie gjendet në tregimin e Mutiëel-Balehis, se kur ai pyeti Ebu Hanifen për mendimin e një personi që thoshte se ai nuk e dinte ku ishte Zoti i tij, në tokë apo në qiej. Ebu Hanifja u përgjigj: “Ai ka bërë kufër, sepse Allahu ka thënë: “Mëshiruesi (u ngrit, “Isteua”) mbi Arsh qëndron.” (20:5) dhe Arshi i Tij është mbi 7 qiejt.” Ai (el-Balehi) pastaj i tha: “Po n.q.s. ai thotë se Allahu është mbi Arsh, por ai nuk e di se ku është Arshi në tokë apo në qiej?” Ai (Ebu Hanifja) u përgjigj: “Ai ka bërë kufër sepse ai ka mohuar se Allahu është mbi qiejt dhe kushdo që mohon se Allahu është mbi qiejt ka bërë kufër.” Shumë që ndjekin medhhebin hanefi sot thonë se Zoti është kudo. Në të vërtetë këta nuk janë pasues të medhhebit hanefi sepse vetë Ebu Hanifja është shprehur se Allahu është mbi të gjitha krijesat dhe sepse të gjithë ata që kanë pasuar me të vërtetë medhhebin hanefi kanë besuar se Allahu është mbi krijesat e Tij. Gjithashtu ngjarja në të cilën nxënësi kryesor i Ebu Hanifes, Ebu Jusuf, i tha Bishr el-Merisit të pendohej kur ai mohoi se Alllahu është mbi Arsh, është përmendur në shumë libra të shkruar gjatë asaj periudhe.”
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Teksti që keni lexuar dhe ju krijon paqartësi është pjesë e marrë nga libri me titull Bazat e Tevhidit (Monoteizmit), i shkruar nga shkrimtari i mirënjohur Dr. Ebu Amine Bilal Philips. Ai është një studiues i cili ka përfunduar studimet në fushën islame. Fakultetin e ka kryer në Universitetin e Medinës, magjistraturën në Rijad, kurse doktoraturën në Universitetin e Welsit. Ai ka ligjëruar në disa universitete prestigjioze të botës islame dhe ka shkruar disa libra, disa nga të cilat janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Fillimisht dëshirojmë të bëjmë të ditur se përkthimi i librit në fjalë, i cili gjendet në internet, nuk është i mirë dhe i kuptueshëm. Këtë gjë e thotë edhe vetë përkthyesi në parathënie të librit, prandaj besoj se një nga arsyet e paqartësisë është edhe kjo.
Në përgjithësi shkrimtari në këtë libër shtjellon domethënien e monoteizmit nga këndvështrimi islam, kategoritë e tij, gjërat që e kundërshtojnë atë dhe bazat e tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me besimin e muslimanit.
Pjesa e tekstit për të cilin ju bëni pyetje gjendet në kapitullin e tetë, në të cilin shtjellohet baza se si duhet të besohet Zoti dhe Cilësitë e Tij. Ai sqaron se mendja e njeriut është e kufizuar sikurse çdo cilësi tjetër dhe ka nevojë për shpallje që të kuptohet drejt Qenia e Allahut të Lartësuar. Ai gjithashtu përmend shembuj të perceptimeve të gabuara ndaj Zotit, që janë të pranishëm në shumë fe dhe ideologji, si në Krishterim, Judaizëm, te persianët, hindusët, grekët e vjetër, etj..
Në vazhdim të të njëjtit kapitullit përmend edhe atë se muslimanët gjatë periudhës abasite u morën me përkthimin e librave filozofikë persianë dhe grekë. Përzierja e muslimanëve me kulturat e këtyre popujve, pastaj edhe njohja e tyre me shkencat filozofike që ishin të përhapura te të tjerët bëri që disa prej tyre të ndikohen nga këto shkenca dhe të ndërtojnë disa baza mbi të cilat filluan edhe t’i manifestojnë perceptimet e tyre rreth disa çështjeve të rëndësishme të fesë e në këtë rast edhe kuptimin e Qenies së Allahut dhe të Cilësive të Tij. Koncepte të këtilla fillimisht zunë vend te mutezilët (racionalistët), por më vonë disa nga këto koncepte u bartën te shumë muslimanë dhe u krijuan drejtime dhe shkolla të cilët i ndërtonin konceptet e tyre rreth Allahut mbi bazat filozofike.
Ndër këto koncepte të gabuara ishte edhe thënia se “Allahu është në çdo vend”, koncept i cili është bazë të shkolla “Esharite”, e cila edhe pse iu kundërvu mutezilëve mjaft ashpër dhe mbrojti shumë teza dhe baza të Ehli Sunetit, por prapë nuk u shpëtuan edhe ata disa koncepteve të gabuara sikurse kjo.
Dr. Bilal Philipsi sqaron rrezikun dhe jo vërtetësinë e këtij koncepti, “se Allahu është në çdo vend”, dhe tregon se Ai (Allahu) është Krijues dhe nuk është i varur nga krijesat.
Ai thotë: “Ai as nuk është i rrethuar nga krijimi e as ndonjë pjesë e krijimit nuk është mbi Të. Ai nuk është pjesë e botës së krijuar e as ajo nuk është pjesë e Tij. Në fakt Qenia e Tij është krejtësisht tjetër gjë dhe krejtësisht e ndarë nga krijesat. Ai është Krijuesi i universit dhe gjithçka që përmban universi është krijim i Tij. Ai shikon, dëgjon dhe di gjithçka dhe Ai është shkaku i parë i të gjitha gjërave që ndodhin në botën e krijesave. Asgjë nuk ndodh pa dëshirën e Tij. Koncepti i Islamit është se ekzistojnë dy qenie të ndara, Krijuesi dhe krijimi, i Pakufizuari dhe të kufizuarit. Pra, Allahu është Allahu dhe krijesat e Tij janë krijesat e Tij. As njëra nuk është tjetra dhe ato nuk janë një. Koncepti i Islamit është unitarian (njësues) në kuptimin që Allahu është absolutisht Një, pa partner, pa prindër, pa pasardhës. Ai është i vetëm në hyjninë e Tij dhe asgjë nuk është e ngjashme me Të. Ai është i vetmi burim i fuqisë në univers dhe çdo gjë varet prej Tij.”
Në rrënimin e këtij koncepti “se Allahu është në çdo vend” ai sjell disa argumente dhe prova nga Kurani dhe Hadithi, por edhe nga arsyeja e shëndoshë. Ndër këto argumente ai sjell edhe pajtueshmërinë apo konsensusin e dijetarëve të parë dhe të hershëm për këtë (ixhmain), se Allahu i Lartësuar nuk është i përzier me krijesat e Tij. Këtu ai sjell paragrafin apo pjesën e tekstit për të cilin ju bëni pyetje.
Sqarim i tekstit që shkaktoi paqartësi:
Dr. Bilal Philips në këtë tekst përmend se dijetarët e hershëm të cilët kanë ardhur pas sahabëve dhe gjeneratat që kanë ardhur në shekujt e parë pas shpalljes kishin konsensus se Allahu është mbi krijesat e Tij dhe Ai nuk është i rrethuar nga krijesat ashtu si pretendojnë esharitë dhe disa shkolla të tjera. Më herët sollëm se cili është qëndrimi i Ehli Sunetit në këtë çështje. Për këtë ai përmend librat e dijetarëve të hershëm që vërtetojnë lartësinë e Allahut të Plotfuqishëm ndaj krijesave të Tij, si libri i dijetarit të mirënjohur, Dhehebiut. Pastaj përmend edhe qëndrimin e Imam Ebu Hanifes për këtë çështje dhe thënien e tij, se bën mosbesim ai person i cili shpreh dyshim se ku është Allahu, pasi Ai (Allahu) në shumë vende sqaron se qëndron mbi Arsh, si: “(E Ai Allahu) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin”, (Ta Ha: 5)
Gjithashtu thuhet: “Ai krijoi qiejt e tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, e pastaj qëndroi mbi Arshin. Ai është Mëshiruesi…”
(Furkan: 59) dhe në shumë vende të tjera.
Pastaj edhe nëse dikush deklarohet se beson se Allahu është mbi Arsh, por shpreh dyshimin se nuk e di ku është Arshi, edhe ai ka bërë mosbesim, pasi Allahu sqaron se Ai është mbi qiell. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai (Allahu) është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja. A u garantuat ju prej Atij që është mbi qiell, që të mos ju shafitë (të mos u lëshojë) toka kur të dridhet. A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im!” (Mulk: 15–17)
Është shumë domethënës ky qëndrim i Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe përcjellja e tij, pasi shumë nga ata që pretendojnë se pasojnë këtë imam thonë se Allahu është në çdo vend. Prandaj edhe e përmend ai dhe e thekson këtë, kështu që ta kuptojnë ata që pretendojnë se pasojnë Ebu Hanifen se cili ka qenë qëndrimi i tij në këtë çështje.
Kjo ishte domethënia e këtij teksti dhe shpresojmë se arritëm t`ua sqarojmë atë që nuk e kishit të qartë. Por edhe njëherë e theksojmë se përkthimi i cili gjendet në internet, në dallim nga ai i botuar në libër, është i dobët dhe është shumë e natyrshme që t`ju krijojë paqartësi. Sido që të jetë, ne do t`ju dërgojmë edhe librin i cili gjendet në dispozicion në internet. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi