Pyetja:

Ata që konsumojnë cigare kur u themi se nuk lejohet ta konsumojnë thonë: ”Në kohën e Pejgamberit ﷺ nuk ka pasur cigare e si është haram?” Si të ua shpjegojmë atyre?

***

Përgjigjja:

Kjo është prej dilemave që shpeshherë e shprehin duhanpirësit. Mirëpo atyre nuk kemi nevojë të u flasim me Kuran dhe sunet, ngase flet Organizata Botërore e Shëndetësisë, flasin ministritë e shëndetësisë dhe e gjitha bota flet kundër duhanit.

Andaj shembull ne para ca vitesh e kishim fushatën nga ministria e shëndetësisë me sloganin “Duhani mbyt!” dhe dha edhe statistika se sa qindra mijëra njerëz vdesin në vit nga pirja e duhanit. Tani, a ka kjo nevojë për më shumë argument? Kur e gjithë bota po të tregon se duhani është vrasës, si dhe në çdo paketim të cigareve shkruan se duhani mbyt, shkakton kancerin etj., në disa kanë shtuar edhe ilustrime ashtu që në rast se nuk e kupton tekstin do e kuptosh foton se çfarë pasoja të lë konsumimi i tij.

Kurse sa i përket rregullave fetare, Kurani jo çdo gjë e ka cekur me ‘emër dhe mbiemër’. Mirëpo në Kuran, haramet e njohura në kohë janë përmendur me emra si: alkooli, zinaja, mishi i derrit, e kështu me radhë. Dhe ka harame që janë përmendur me rregulla, shembull prej rregullave të Kuranit është që çdo gjë që të bën dëm është haram. Edhe kur vie fjala te duhani, është shumë thjesht për ta kuptuar, a të bën ai dëm apo dobi? E gjithë bota thotë se të bën dëm.

Rregulli i dytë, çdo shpenzim i kot (i padobishëm) i pasurisë është haram. Kur ti hargjon 1€ apo 2€ për të blerë nji pako cigare, a ke dëm apo dobi? Natyrisht nuk ke dobi por ke dëm, kështu kjo është shpenzim i pasurisë pa dobi.

Tjetra, çdo gjë që ta dëmton shëndetin është haram. Andaj Kurani ta ndalon ty bukën dhe ujin, që janë të shëndetshme, nëse ja tepron e lëre me duhanin prej të cilit ke vetëm dëme dhe nuk ke kurrfarë dobie.

Kështu që ka shumë rregulla kuranore, që kur e fusim duhanin në ato “filtrime”, nëpër ato analiza del se është e ndaluar. Andaj edhe nuk ka dyshim sot, tek shumica e ulemave muslimanë por edhe tek bota në përgjithësi se duhani është i dëmshëm dhe është haram, dhe prej tij nuk ka asnjë dobi.

Dhe njeriu nuk ka nevojë që të hulumtojë gjatë për ta kuptuar këtë. Kemi raste kur na kanë treguar fshatarët shembull tek ne në Kumanovë dhe në Luboten, do të thotë rrethina e Shkupit, se në atë tokë ku mbillet duhani nëse do të mbjellësh vitin tjetër grurë, gruri nuk do të mbihet. Do të thotë toka dëmtohet nga duhani, e lëre më qenia njerëzore.

E nëse ti si njeri e konsumon duhanin, ai padyshim do të lërë dëmet e tija në trupin tënd, ngase siç treguam duhani dëmton rëndë tokën, e lëre më trupin e njeriut.

Hoxhë Bekir Halimi