Pyetja:

Një muslimane më ka thënë se duhet të kemi kujdes gjatë dëgjimit të Kuranit në cd apo në internet se nëse ke sehire dhe nëse e dëgjon Kuranin atëherë mundesh me e ndie veten keq ose diçka tjetër. Ju lutem, të më tregoni se si duhet vepruar kur dëshirojmë të dëgjojmë Kuran apo të lexojmë ndonjë libër?

***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se dëgjimi i Kuranit ka ndikim tek personi që vuan prej sihrit, por është shumë gabim t’i thuhet dikujt që të ketë kujdes e të mos dëgjon Kuran sepse mund të sëmuret. Kurani është shërues dhe dëgjimi i tij, padyshim e dobëson ndikimin negativ të sihrit, kështu që duhet të stimulohet në dëgjimin sa më intensiv të Kuranit. Pastaj, nuk bën të paragjykohet se çdonjëri është i sëmurë prej sihrit, e që kjo nënkupton se njeriu së pari paska nevojë të “testohet” se ka apo jo sihër e pastaj të dëgjon Kur’an. Assesi, dëgjoni dhe lexoni sa më tepër Kuran, sepse ai është shërim dhe mëshirë për besimtarët.
Allahu thotë: “Ne shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse mizorëve (mosbesimtarëve) nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” (Isra’, 82)
Ndërsa kur dëshirojmë të dëgjojmë Kuran e sidomos kur e lexojmë atë, preferohet të marrim abdes dhe të kemi për qëllim ibadetin me ç’rast do t’i fitonim për çdo shkronjë nga 10 sevape.

Muhamed Dërmaku