Pyetja:
A i lejohet femrës muslimane të ketë shok?
***
Përgjigjja:
Jo, në Islam nuk i lejohet një femre të ketë shok mashkull nëse me të nuk e lidh martesa. Pra nuk i lejohet të ketë shok tjetër përveç bashkëshortit të vet. Kultura që mbizotëron kohëve të fundit në vendin tonë, lë hapësirë për një koncept tjetër në raportet mes meshkujve dhe femrave. Dhe ndoshta të ngarkuar me këtë kulturë, kur një të riu, mashkull qoftë apo femër, i thuhet se nuk lejohet të kenë shoqërim gjinitë e kundërta, ndoshta merr hov me guxim të paparë për ta kundërshtuar një gjë të tillë.
Njeriu shpeshherë harron se kush e ka krijuar. Pastaj harron edhe cilësitë e Krijuesit të tij se është i mëshirshëm ndaj tij. Harron madje se çdo urdhëresë dhe çdo ndalesë që Krijuesi e ligjëson për njerëzit, është në dobi të drejtpërdrejtë të tyre. Duke e ditur se ruajtja e moralit është njëra nga pesë objektivat kryesore të Sheriatit (të cilat nëse nuk mbrohen, rrezikohet i tërë njerëzimi me shkatërrim, p.sh. sikur që ka ngjarë me popujt e mëhershëm që nuk ishin në nivelin e duhur të moralit dhe u shkatërruan edhe si shoqëri, por edhe u dënuan me shkatërrim), Islami synon që asnjëherë të mos vendojë në atak çdo mënyrë të mundshme të prishjes së moralit. Nisur nga kjo, Islami ua ndalon të dy gjinive edhe shikimin në tjetrin e lëre më ndejat, takimet, bisedat etj. (Shih ajetet 30 dhe 31 të sures Nur).
Nuk ka dyshim se shoqërimi i dy gjinive të kundërta ka shumë më shumë dëme se sa dobi. Ata që mendojnë të kundërtën, i kisha lutur që me sy analitik t’i vështrojnë motivet e shoqërimit të njerëzve me gjini të kundërta dhe të shikojnë në pasojat e mundshme duke venduar parasysh edhe shumë shembuj praktikë. Allahu është udhëzuesi më i mirë dhe ligjvënësi më i Urtë. “A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” (Maide: 50)
Allahu më së miri e di dhe më së miri gjykon!
Muhamed Dërmaku