Pyetja:

Edhe përkundër lutjeve që ia bëj Allahut të ma largojë, edhe në namazin e istihares e edhe në namazet e tjera, zemra ime është peng i një dashurie që ndiej për një djalë. Ai është musliman por nuk i falë 5 vaktet. Disa herë jemi ndarë por përsëri jemi pajtuar. Kemi planifikuar për martesën por prapë jemi ndarë. Unë dëshiroja që sa më shpejt të martohemi që t’iu ikja mëkateve por ai ankohej se nuk e kishte mundësinë që menjëherë të vendoste për shkak të kushteve dhe ishte i papunë. Në fakt ai dorë nuk ka hequr prej meje asnjëherë. Para dy ditësh kam ëndërruar se jam martuar me të, dhe pastaj duke bërë marrëdhënie me të, ai kishte pengesa. Pastaj kam ëndërruar se si dasmorët më këndonin mua edhe atë e nganjëherë gabonin në emrin tim gjatë këngës por përsëri e thoshin. Pastaj duke hëngër ëmbëlsirë e tjera. Çfarë do të thotë kjo ëndërr ju lutem se në komentimin e ëndrrave nuk kuptoj qartë? Dhe menjëherë pas kësaj ëndrre ne prapë jemi ndarë. Nuk e kuptoj çka është kjo, është caktim i Allahut apo?

***

Përgjigjja:

Sa i përket komentimit të ëndrrave, nuk di ta bëj një gjë të tillë, andaj edhe pyetja e juaj nuk do ta gjejë përgjigjen e kërkuar në këtë faqe. Mirëpo unë do ta jap një këshillë që ka të bëj me duanë.

Motër muslimane, kurrë mos i humb shpresat nga duaja dhe mos mendo se Allahu nuk të dëgjon. Përkundrazi mundohu që të jesh edhe më këmbëngulëse dhe të kesh sinqeritet sa më shumë për atë gjë që i lutesh Allahut. Në rastin tuaj si dhe në raste të tjera, bë dua që Allahu të udhëzojë drejt më të mirës për ty në dinin, dynjanë dhe ahiretin tënd. Nëse është më hair për ju që të shkëputeni nga ai djalë lute Allahun që të ndahen edhe mendimet e tua rreth tij. E nëse është hair që të bashkoheni dhe të martoheni, lute Allahun që t’ua lehtësojë atë. Përderisa nuk je e fejuar për të, mos e lejo veten që të shpenzosh kohë për djalin, që ende nuk e ke asgjë dhe si i tillë, mos të zërë vend në zemrën tënde më shumë se përkujtimi i Allahut. Nëse ai kërkon dorën tuaj, kushtëzoje që ta falë namazin të pesë kohët e mos u mjaftoni vetëm me faktin se është besimtar, por kërko të jetë praktikues apo përkthyes i besimit në vepër. Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku