Pyetja:

Sa i përket zbritjes së Allahut të Madhëruar në qiellin e dynjasë në pjesën e tretë të natës , a ndodhë kjo në çdo vend apo vetëm në një vend të caktuar?

***

Përgjigjja:

Falënderimi dhe lavdia më e sinqertë i takon Allahut të Madhëruar, ndërsa paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi Muhammedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndoqën, ndjekin dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit.
Ai i cili na lajmëroi për zbritjen e Allahut të Madhëruar në qiellin e dynjasë është ai i cili nuk flet nga mendja e tij  por nga shpallja që i shpallet. Prandaj duhet besuar ashtu siç na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut ﷺ në këtë hadith të vërtetë dhe mutevatir. [1]
Nuk ka dyshim dhe është e dëshmuar se pjesa e tretë e natës dallon nga vendi në vend, dhe me të vërtetë nëse bëhet fjalë për ne si krijesa do të ishte e palogjikshme zbritja por duhet ta kemi parasysh se zbritja e Allahut dallon nga zbritja e krijesave të Tij:

Asnjë send nuk është si Ai.” (Shura: 11)

Prandaj nuk lejohet që Allahu i Madhëruar të krahasohet me krijesat e Tij dhe cilësitë e tyre. Thotë Allahu i Madhëruar:

Pra, mos i përshkruani Allahut shembuj! Allahu i di të gjitha e ju nuk dini.”
(Nahl: 47)

Shejh Ibn Uthejmini, ka thënë: “Gjeneratat e mëvonshme të cilët e dinin se toka është e rrumbullakët dhe se dielli rrotullohet rreth tokës, thanë: Si mundet që Ai (Allahu) të zbresë gjatë pjesës së tretë të fundit të natës, kur pjesa e tretë e fundit e natës lëvizë (transferohet) nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe shkon në Evropë dhe zonat pranë (pra ndryshon)?

Ne themi: Tani ju jeni duke i krahasuar Atributet (Cilësitë) e Allahut me atributet (cilësitë) e qenieve të krijuara. Nëse ju e besoni atë (zbritjen e Allahut), ju nuk duhet të bëni asgjë tjetër përtej saj, kështuqë mos pyetni se si. Më mirë thuani: Kur është pjesa e tretë e fundit e natës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, atëherë Allahu zbret, dhe kur është pjesa e tretë e fundit e natës në Amerikë, atëherë Allahu zbret poashtu.
Kështu që qëndrimi ynë është se ne besojmë në atë që na ka arritur nëpërmjet të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe se Allahu zbret në qiellin më të ulët (më të afërt) kur është një e treta e natës, dhe Thotë: “Kush do të më thërret (lus) Mua, që Unë t’i përgjigjem atij? Kush do të kërkojë nga Unë, që Unë t’i japë atij? Kush do të kërkojë Faljen Time, që unë t’ia falë Atij?” [2]

Siç ka thënë imam Maliku: “El-Istiva (ngritja mbi Arsh) është e njohur, kurse mënyra se si, është e panjohur, të besosh në të është e detyrueshme, ndërsa të pyesësh rreth saj është bidat (risi).”
Prandaj atë çka përmendët në pyetjen tuaj duke u bazuar në anën logjike, është diçka që u nevojitet krijesave, kurse jo Krijuesit. Kjo nuk është e çështja e vetme ku kemi të bëjmë me një rast të tillë, ka edhe shumë të tjera.
Një person ka pyetur Ibn Abassin: Si e bën Allahu llogaritjen e të gjithë krijesave në një çast? I është përgjigjur: Ashtu siç i furnizon të gjithë në një çast.
Gjithashtu, hadithi që e transmeton Ebu Hurejra në të cilin tregohet se kur besimtari është duke lexuar suren El-Fatiha në namaz Allahu i Madhëruar thotë: “…kur thotë robi (Elhamdulilahi rabbil a’lemin) thotë Allahu: Më falënderoi robi im…“, [3] deri në fund të hadithit.
Dikush mund të thotë: E si ndodhë kjo kur me miliona njerëz ndoshta lexojnë suren El-Fatiha në atë çast?!
Nga e tërë kjo kisha dëshirë tua bëj të qartë se Allahu i Madhëruar nuk krahasohet me asnjë nga krijesat e Tij, pa marrë parasysh për cilat cilësi bëhet fjalë, ngritjen mbi Arsh , zbritjen në qiellin e Dynjasë apo të tjera, sepse siç u cek më lartë: “Asnjë send nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (Shura: 11)
Ndërsa neve si besimtarë nuk na lejohet që duke u bazuar në logjikën dhe mendjen tonë të komentojmë dhe shpjegojmë ajetet e Kur’anit apo hadithet por një gjë e tillë bëhet vetëm duke u bazuar në argumente fetare.

Përktheu: Senad Ramadani

—————————–

[1] Përcillet nga një grup i konsiderueshëm transmetuesish

[2] “Sherh El-Vasitije”, 2/437

[3] Muslimi