Pyetja:
A mundet babai im të më detyrojë të vendos mbulesën islame (hixhabin) dhe a i lejohet atij të më kërcënoje me privim të mbështetjes financiare nëse unë vendos të mos mbulohem?
***
Përgjigjja:
Ligji Islam përcakton se mbulesa (hixhabi) është një detyrim për gratë e rritura siç Zoti na thotë në Kuran: “Thuaju edhe besimtareve le të ulin shikimin dhe të kujdesen për pjesët e turpshme të trupit të vet, dhe le të mos i ekspozojnë stolitë e tyre, përveç asaj që edhe ashtu është e jashtme (duket). Le t’i mbulojnë kraharorët e tyre me mbulesa.” (Nur:31)
Përcillet se Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), ka treguar që Esma, e bija e Ebu Bekrit ka ecur dikur në rroba të tejdukshme, e Pejgamberi ﷺ është kthyer anash (prej saj) e i ka thënë: “Oj Esma, pasi femra arrin pubertetin, asaj i lejohet të shfaq vetëm këtë dhe këtë” duke bërë me shenjë fytyrën dhe duart.” [1]
Kështu që nëse vajza ka arritur pubertetin dhe nuk mbulohet, është detyra e babait të saj ta këshillojë atë me butësi, pa e lënduar dhe pa imponuar autoritetin e tij mbi të me forcë apo dhunë, sepse këshilla e tij mezi përfshihet në këshillimin e të mirës dhe ndalimin prej së keqes. Zoti thotë në Kuran : “Le të jetë një grup prej jush që do të thërrasë në të mirë, e që të urdhërojë vepra të bukura e të ndalojë prej të shëmtuarave! E, ata njerëz do të jenë të shpëtuar.” (Ali Imran: 104)
Temim Dariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Feja është sinqeritet.” – Ndaj kujt? – e pyetëm. Ai tha: “Ndaj Allahut, ndaj Librit të tij, ndaj të Dërguarit të Tij, ndaj prijësve të muslimanëve, si dhe ndaj mbarë muslimanëve.” [2]
Prandaj babai duhet ta këshilloj vajzën e tij me urtësi dhe mos ta dëmtojë atë në asnjë mënyrë përmes goditjes, apo lëndimit, apo prej tërheqjes së financimit të saj apo ndonjë forme tjetër të dëmit. Po ashtu ai nuk ka të drejtë ta detyrojë atë të braktisë punën e saj, sepse çështja e mbulesës s’duhet bërë kusht për vazhdimësinë e jetës së saj normalisht, pasi kjo mund ta çojë vajzën drejt një sjelljeje refuzuese ndaj fesë në përgjithësi bashkë me të gjithë rregullat e saj ligjore. Për më tepër, çdo ushtrim i forcës e i detyrimit nga ana e babait do ta bëj vajzën hipokrite që e praktikon fenë vetëm për sa kohë ai është aty rrotull. Zoti nuk do dorëzimin e trupave, përkundrazi Ai do nënshtrimin e zemrave dhe kjo mund të aplikohet veç përmes zhvillimit të një gjendjeje ku ajo është e vetëdijshme për Zotin gjatë gjithë kohës, pasi kjo është gjendja e ekselencës rreth së cilës ka folur Pejgamberi ﷺ duke e përshkruar këtë gjendje si “Ta adhurosh Zotin sikur të jesh duke e parë Atë. Edhe nëse ti s’e sheh Atë, Ai të sheh ty.” [3]
Kështu që, babait i lejohet vetëm ta këshillojë vajzën rreth mbulesës pa i shkaktuar asnjë dëm përmes goditjes fizike apo ndërprerjes së mjeteve financiare, pasi shpenzimi për të bijën është një detyrë e tij për sa kohë ai është kujdestar i saj e ajo të mos jetë në gjendje ta financojë vetveten e saj, dhe kjo detyrë i mbetet atij, pa marrë parasysh nëse vajza e tij mban hixhabin ose jo. Prej mëshirës së Islamit është fakti se pagesa për fëmijët dhe kujdesi rreth tyre nuk është i kushtëzuar në përmbushjen e detyrave fetare nga ana e këtyre të fundit.
Përktheu: Ajlin Isaj
———————–
[1] Ebu Davudi, Bejhekiu dhe Taberaniu
[2] Muslimi, 55
[3] Muslimi