Pyetja:

Gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit kam filluar leximin e Kuranit mirëpo për shkak të përmuajshmeve nuk kam mundur ta përfundojë. A mund ta vazhdoj atë tani? Dhe nëse po, atëherë a mund të lexoj pa marrë abdes për shkak se Kur’anin e lexoj në internet gjatë kohës kur nuk kam punë në vendin e punës?

***

Përgjigjja:

Po, mund ta vazhdoni tani leximin e Kuranit (sigurisht bëhet fjalë për në origjinal, përndryshe përkthimit nuk i thuhet Kuran, por i thuhet përkthim i Kuranit, gjë që ndryshon dispozita). Leximi i Kur’anit është ibadet-adhurim dhe si i tillë nuk përkufizohet me muajin Ramazan, edhe nëse shpërblimet në këtë muaj për veprat e mira janë më të veçanta. Pra, mund ta përfundoni dhe të filloni përsëri së lexuari Kuranin, vazhdimisht, aq sa keni kohë dhe aq sa keni vullnet dhe ambicie për shpërblime apo sevape.
Sa i përket leximit të tij pa abdes, po të ishte drejtpërdrejt prej mus-hafit (librit ku është i shkruar tërësisht Kurani) nuk lejohet, e nëse leximi bëhet nga kompjuteri, televizioni e të ngjashme dhe nuk preket mus-hafi, lejohet. Por një gjë duhet ta keni parasysh se nëse e keni për qëllim me leximin e Kuranit adhurimin e jo ta përsërisni ndonjë ajet apo sure, e as të lexoni ndonjë ajet për studim, e as t’ia mësoni ndokujt ndonjë kuptim, atëherë më mirë është të merret abdes, pasi qëllimin e keni vetëm për ta lexuar Kuranin si rit apo ibadet i veçantë, pasi siç dihet çdo ibadet që e bëjmë është e preferuar ta bëjmë në gjendjen kur kemi abdes, edhe atëherë kur nuk është i obliguar.
Allahu më së miri e di!

Muhamed Dërmaku