Pyetja:
A ka ndryshim midis grave dhe burrave në larjen e papastërtisë së madhe (xhunubllëkut) dhe a duhet t’i zgjidhë gruaja gërshetat e saj gjatë larjes?
A ka ndryshim ndërmjet mënyrës së larjes prej xhunubllëkut dhe menstruacioneve?
***
Përgjigjja:
Nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet larjes së gruas dhe burrit prej xhunubllëkut.
Gjithashtu, gruaja nuk e ka për detyrë që t’i zgjidhë gërshetat e saj, por mjafton që të derdhë tri herë ujin në kokë e pastaj të lajë pjesën tjetër të trupit, pasi Pejgamberi, ﷺ, kur u pyet nga një grua për këtë çështje, tha: “Jo, nuk ka pse t’i zgjidhësh gërshetat. Mjafton që të derdhësh tri herë ujë në flokët tua e pastaj të lash pjesën tjetër të trupit”. [1]
Nëse gruaja vendos në flokët e saj diçka që pengon depërtimin e ujit deri në lëkurë, atëherë duhet ta heqë atë para se të fillojë larjen.
Nëse depërtimi i ujit nuk pengohet, atëherë largimi i saj nuk është i detyrueshëm. Përsa i përket larjes prej menstruacioneve, dijetarët nuk janë të një mendimi nëse duhen zgjidhur gërshetat, apo jo.
Mendimi më i saktë është se nuk duhet të zgjidhën, sepse në disa transmetime të hadithit të lartpermendur, thuhet se një grua i tha Pejgamberit, ﷺ: “Unë i mbaj flokët e lidhura gërshet dhe, kur lahem nga menstruacionet apo xhunubllëku, i zgjidh”. Pejgamberi, ﷺ, i tha: “Nuk ka përse të veprosh kështu. Mjafton të hedhësh tri herë ujë mbi kokë e pastaj të lash pjesën tjetër të trupit. Me këtë pastrohesh”. [2]
Ky transmetim tregon mjaft qartë se gruaja nuk është e obliguar t’i zgjidhe flokët gjatë larjes prej menstruacioneve apo xhunubllëkut, megjithatë gjëja më e mirë është t’i zgjidhë në të dy rastet, më qëllim që të mënjanohet mospajtimi i mendimëve të dijetarëve.
Komisioni i Përhershëm për Fetva, “Pyetje dhe Përgjigje”
————————–
[1] Muslimi
[2] Muslimi