Pyetja:
Kam shumë vesvese gjatë marrjes së abdestit dhe guslit. Më duket se vazhdimisht e prish, çfarë të bëj?
***
Përgjigjja:
Vesveset, siç i quajmë cytjet e shejtanit, janë metoda që përdor shejtani i mallkuar me qëllim të devijimit dhe humbjes së besimtarëve. Ai është armik i përbetuar i njeriut, nuk dorëzohet lehtë. Njeriu nuk e ka idenë se me çfarë armiku ballafaqohet, sepse po ta kishte, do të ruhej më shumë dhe do të merrte masa mbrojtëse e preventive ndaj tij. Allahu i Lartësuar thotë:
“Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir: 6)
Pa dyshim që synimi kryesor i shejtanit është që ta devijojë njeriun duke ia zbukuruar besimin në shumë zota dhe adhurimin e tjetërkujt pos Allahut.
Nëse nuk arrin ta devijojë njeriun në besimin dhe adhurimin e të vetmit Allah, atëherë shejtani përpiqet ta largojë besimtarin nga kryerja e farzeve të Allahut, siç është namazi, agjërimi, zekati, haxhi, respektimi i prindërve, etj., si dhe e nxit dhe e shtyn të kryejë ndalesat-haramet e Allahut.
Në rast se shejtani nuk arrin ta largojë besimtarin as nga kryerja e farzeve, ai nuk dorëzohet, por përpiqet që t’ia rëndojë besimtarit kryerjen e farzeve nëpërmjet vesvesit apo cytjes duke e bërë njeriun të dyshojë në abdestin dhe pastërtinë e tij. Shejtani me cytjen e tij ndikon te njeriu deri në atë masë saqë ai fillon të dyshojë në çdo lëvizje të tij’ gjatë marrjes së abdestit dyshon se nuk e ka larë ndonjë pjesë të trupit, gjatë faljes së namazit dyshon a e ka shqiptuar tekbirin fillestar e kështu me radhë.
Nëpërmjet cytjes shejtani përpiqet t’ia rëndojë besimtarit kryerjen e ibadeteve deri në atë masë sa të mërzitet dhe pastaj ta lërë krejt kryerjen e farzit, prandaj besimtari duhet ta ketë të qartë se këto vesvese janë prej shejtanit dhe mënyra më e mirë e shërimit dhe shpëtimit nga vesveset është kërkimi i strehimit dhe mbrojtjes nga Allahu i Lartësuar si dhe neglizhimi dhe mosinteresimi duke mos i dhënë rëndësi vesvesit.
Në rastin konkret, neglizhimi i vesvesit do të thotë të marrim abdest apo gusël njëherë dhe pastaj të mos i kushtojmë vëmendje dyshimeve që na parafytyrohen, kinse e kemi prishur abdestin, ngase prishja e abdestit ndodh me bindje e argumente prekëse dhe kurrsesi me dyshime e parafytyrime.
Në parim, personi kur pastrohet konsiderohet i pastër derisa të bindet me argumente të qarta se është bërë i papastër. Lindja e dyshimit dhe e hamendjes në pastërtinë e tij nuk ndikon në vlefshmërinë e pastërtisë. Ky është parimi i përgjithshëm që vlen për të gjitha dispozitat në Islam. Janë ankuar te Pejgamberi ﷺ për një njeri, të cilit gjatë faljes së namazit i parafytyrohej sikur po e prishte abdestin, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë: “Të mos largohet (nga namazi) derisa nuk e dëgjon zërin apo erën.” [1]
Kjo do të thotë derisa të bindet se ka kryer ndonjë veprim që e prish abdestin.
Në lidhje me këtë hadith Imam Neveviu thotë: “Ky hadith është parim prej parimeve të Islamit, rregulla madhështore prej rregullave të fikhut, ku gjykohet se gjërat mbeten në esencën e tyre derisa vjen ndonjë argument bindës që dëshmon të kundërtën e saj, ndërsa vetë paraqitja e dyshimit nuk ndikon në vlefshmërinë e gjykimit.”
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————
[1] Buhariu, 137; Muslimi, nr. (361) 98.