Pyetja:

A ndikon me dëgju rukje prej internetit, a të ndihmon kjo?

***

Përgjigjja:

Me lejen e Allahut të Lartësuar edhe kjo ndikon ngase dëgjohet. Shejh Bin Bazi ka thënë: “Dëgjimi i leximit të Kuranit ka shpërblimin e njëjtë sikurse leximi i tij.” Domethënë për një shkronjë 10 sevape.

Dhe nga përvoja është vërtetuar se shumë njerëz me dëgjimin e leximit të Kuranit nga të tjerët kanë pasur ndikim. Madje ne e preferojmë shumë herë tek njerëzit që ndihen se kanë mësysh, cytje të shejtanit, prekje të xhinëve e kështu me radhë, nëse nuk dijnë ta lexojnë Kuranin në arabisht ta dëgjojnë suren Bekare dhe ta shpeshtojnë për çdo ditë. Kjo sepse Pejgamberi ﷺ ka porositur të lexohet kaptina Bekare dhe ka thënë: “Në një shtëpi ku lexohet surja Bekare në të nuk hyn shejtani.”

E njëjta gjë vlen edhe kur e lexon vazhdimisht suren Bekare, në gjoksin tënd nuk ka vend për shejtanin dhe xhinët me lejen e Allahut. Gjithashtu Pejgamberi ﷺ ka dëgjuar Kuran edhe nga të tjerët.

Disa prej dijetarëve kanë thënë se nuk është e njëjtë të dëgjosh direkt nga lexuesi me atë të cilën e dëgjon përmes audios (internetit). Dhe ka mundësi të ketë dallim sepse nuk është e njëjtë sikurse ai ta lexon direkt dhe gjendet pranë teje, natyrisht pastaj ndikon edhe nëse është prej të devotshmëve, me sunet të Pejgamberit ﷺ dhe lutjet e tij nuk përmbajnë ndonjë lutje idhujtarie, bidate etj., e padyshim se ndikimi i leximit të tij do të jetë më i madh.

Por me lejen e Allahut të Lartësuar edhe dëgjimi i kaptinës Bekare apo ndonjë pjese tjetër të Kuranit përmes audios do të ketë ndikim tek ai person i cili ka nevojë për to.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Zejd Haziri

Comments are closed.