Pyetja:

Kam një vajzë 5 muajshe dhe dua ta di si të kujdesem për vajzën që të jetë një femër muslimane,  dhe si t’ja thirri emrin e saj në vesh?

***

Përgjigjja:

Sa i përket thirrjes së emrit në vesh, ka qenë një procedurë që është preferuar të bëhet kur e keni emërtuar vajzën e jo tani pasi ajo i ka kaluar pesë muaj. Megjithatë ajo gjë nuk ka qenë obligim-farz, por gjë e preferuar.Kurse përkujdesja e juaj ndaj vajzës që ajo të bëhet një muslimane e devotshme është gjë më se e kërkuar dhe obligim i çdo prindi ndaj fëmijëve të tyre, meshkuj qofshin ata apo femra.

Ju duhet që gjatë gjitha fazave të rritjes së saj ta keni parasysh edukimin e saj mbi baza islame të shëndosha. Siç jeni përkujdesur për emërtimin e saj ushqimin e saj, veshmbathjen e saj, duhet të përkujdeseni me kalimin e kohës edhe për edukatën që ia mbillni.

Ju si nënë duhet t’ia mësoni sjelljet e mira, respektin ndaj të tjerëve, kryerjen e namazit, mbjelljen e turpit, dashurinë ndaj Allahut, dashurinë ndaj të Dërguarit, dashurinë dhe respektin ndaj Kur’anit dhe mësimeve të tij, edukimin në përzgjedhjen e shoqërisë, veshjen adekuate të femrave, duke mos lëshuar pe në zbulimin e trupit, në mënyrë që t’i mbillet turpi, ani pse është e vogël, të mos shoqërohet me djem të huaj, të mos e lejoni të shikojë gjithë çka transmetojnë kanalet televizive etj.

Të gjitha këto që i përmenda duhet të kihen parasysh, por në etapa përkatëse të edukimit të saj gjatë rritjes. Shumica e atyre që  i përmenda natyrshëm se nuk mund të kryhen tani, por i përmenda që t’i keni parasysh për më vonë.

Kurse tani, mundohuni që t’ia mësoni ta thërras së pari emrin Allah. Si dhe një gjë shumë me rëndësi, bëni dua çdoherë që Allahu ta ruajë nga syri i keq (mësyshi) duke bërë dua dhe duke i lexuar së paku çdo mbrëmje suret El-Felek dhe En-Nas.

Kjo është shkurtimisht, për më tepër lexo literaturë adekuate lidhur me edukimin e fëmijëve.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku