Pyetja:

Dikush që ,është e pavendosur në fejesë dhe a lejohet këndimi i hoxhallarëve dhe çfarë suresh duhet të themi shpesh për të prishur magjinë? Unë kam të njëjtin problem që në moshën 18-vjeçare e deri tani, ka më shumë se 15 vjet që për këdo që më ftojnë për të më parë them jo dhe s’e marr mundimin t’i shoh, edhe pse kanë qenë musliman dhe të hairit.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Problemi juaj mund të jetë çështje magjie, por mund të jetë edhe problem i natyrës se si ju i keni marrë ofertat nga meshkujt të cilët kanë kërkuar nga ju martesë. Është e natyrës së njerëzve se sa më shumë që bëhet vonimi i martesës, aq më i vështirë është edhe guximi për ta marrë vendimin. Kjo është e njëjtë edhe te meshkujt edhe te femrat, prandaj mund të jetë arsyeja e refuzimit tuaj, se tani ju keni humbur guximin të merrni një vendim të këtillë.
Ju këshillojmë që t’i mbështeteni Allahut në lutjet tuaja dhe ta keni parasysh metodën profetike nëse ju paraqitet ndonjë ofertë, që të mos nxitoni me refuzim, por të mendoni mirë, ta falni namazin e istihares, ta lutni Allahun që t`ju udhëzojë në atë që është më e mirë për ju. Gjithashtu mos ngurroni të këshilloheni me familjarët të afërmit dhe ata që ua duan të mirën. Me lejen e Allahut, nëse i përmbaheni kësaj, atëherë Allahu do t’ua japë hairin dhe më të mirën.

Alaudin Abazi