Pyetje:
A bëhen rrobat të papastra nëse unë bëj gjumë me to?
Përgjigje:
Falënderimi i takon Allahut…
Së pari:
Parim themelor në lidhje me rrobat është që ato janë “Tahir” – të pastra, përveç nëse ndonjë papastërti ka rënë mbi to, në të cilin rast duhet të pastrohen.
Mirëpo, fjetja me rroba nuk i bën ato të papastra. Ato mbeten të pastra derisa të bëhet e sigurt se ka mbi to papastërti.
Shejh Ibn Uthejmini ka thënë:
“Parimi bazë në lidhje me një person të veshur me rroba është se ai (dhe ato) janë të pastër për aq kohë sa nuk është i sigurt se ndonjë papastërti ka rënë mbi trupin e tij apo rrobat. Ky parim është mbështetur nga fjalët e të dërguarit ﷺ, kur një njeri iu ankua se ndjeu diçka gjatë namazit të tij – pra mëdyshje prej tij se i ka dalë erë. Ai tha: ‘Mos u ndal (nga namazi) derisa të dëgjosh një tingull apo të ndjesh erë.’
Nëse individi nuk është i sigurt për këtë, atëherë parimi bazë është se ai mbetet i pastër.”
(Ibn Uthejmin, “Mexhmu’ Fetava”, 11/107)
Së dyti:
Është e lejueshme të falet njeriu në rroba me të cilat ka fjetur, përderisa ato janë të pastra dhe mbulojnë avretin. Megjithatë, më mirë dhe më e përsosur është të veshë rroba të bukura dhe të pastra për namaz, si respektim i urdhrit të Allahut:
“O bijtë e Ademit! Merrni zbukurimet tuaja (duke veshur rrobat e pastra) në çdo xhami.”
(El-A’raf: 31)
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur për dispozitën e namazit me pizhame dhe paraqitjen te njerëzit me to. Ai tha:
“Nuk ka asgjë të keqe të falet me pizhame, nëse ato janë të pastra, qoftë edhe në xhami. Por, nëse ato rroba tërheqin vëmendje dhe kritikë, dhe njerëzit flasin rreth tij për këtë arsye, atëherë njeriu duhet të shmangë çdo gjë që bëhet shkak për përgojim.”
(Ibn Uthejmin, “Mexhmu’ Fetava”, 12/362)

