Pyetja:

Duke udhëtuar nga shtëpia për në fakultet më ndodh që shpeshherë të përmend disa ajete nga Kurani, por ajo që më shqetëson është se ndonjë sure nuk e di mirë dhe e lidh me ndonjë tjetër. A më shkruhen gjynahe kur e përziej ajetin e ndonjë sureje me ndonjë tjetër?

***

Përgjigjja:

Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në një hadith që e transmeton Muslimi në koleksionin e tij shënon se Profeti ﷺ ka thënë: “Ja u tejkaluat muferidunët. Sahabët e pyeten se kush janë ata, ndërsa Muhamedi ﷺ tha: “Muferidunët janë ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë.” E kjo që vepron ti vëlla i dashur është një shenjë e mirë për ty dhe lus Allahun e Lartësuar të të forcojë dhe të japë vazhdimësi në këtë punë të hajrit.

Përsa i përket përzierjes së ndonjë sure me tjetër gjatë përsëritjes së Kuranit, nëse bëhet gabimisht dhe jo shpesh, atëherë nuk ke mëkat, për shkak se ti e vepron atë pa qëllim. Mirëpo nëse ky gabim përsëritet shpesh, atëherë duhet të marrësh masa në parandalimin e tij dhe të mos vazhdosh në këtë. Unë të rekomandoj një gjë që është praktikë e shumë hafizave dhe përsëritësve të Kuranit e ajo është të mbash me vete një Kuran të vogël të xhepit dhe t`i kthehesh atij sa herë që ke nevojë, apo të mbash me vete një kasetofon të vogël me dëgjuese dhe ta përciellësh leximin nga ajo, qoftë në udhëtim apo kudo.

Alaudin Abazi