Pyetja:
A është e lejueshme për një grua me menstruacione që ta lexojë një libër lutjesh
në ditën e Arafatit, duke pasur parasysh faktin që libri përmban ajete kuranore?
***
Përgjigjja:
Nuk prish punë që gruaja me menstruacione apo gjakderdhje të paslindjes t’i lexojë librat e lutjeve, që janë shkruar për ritet e pelegrinazhit. Në fakt, s’ka gjë të keqe që ajo ta lexojë Kuranin, sipas opinionit të saktë. Nuk ka ndonjë tekst të qartë e të vërtetë që ndalon gruan me menstruacione apo gjakderdhje të paslindjes ta lexojë Kuranin.
Gjëja që është transmetuar ka të bëjë vetëm me personin e papastër nga marrëdhëniet
seksuale. Si i tillë, ai s’bën ta recitojë Kuranin. Kjo bazohet në hadithin e Aliut. Për sa i përket gruas me menstruacione dhe gjakderdhje të paslindjes, është hadithi i Ibn Umerit, ku thuhet: “Kuranin s’bën ta lexojë as gruaja me menstruacione, as njeriu i papastër nga marrëdhëniet seksuale (xhunub).” Mirëpo, ky hadith është i dobët.
Mirëpo, ajo mund ta lexojë atë që e ka mësuar përmendsh, pa e prekur Kuranin. Për sa i përket personit të papastër nga marrëdhëniet seksuale, ai/ajo s’bën ta recitojë as atë që e di përmendsh apo ta prekin Kuranin, derisa të ai/ajo të bëjë gusl. Dallimi mes këtyre dyve është periudha e shkurtër kohore e personit xhunub, meqë ai mund të bëjë gusl menjëherë pasi të ketë kryer marrëdhënie me bashkëshortin/en. Periudha kohore s’është e gjatë dhe ai e ka këtë nën kontroll, meqë mund të bëjë gusl kur të dojë. Edhe nëse s’mund të gjejë ujë, ai mund ta bëjë tejemum dhe të falet. Mirëpo, gruaja me menstruacione apo gjakderdhje të paslindjes nuk ka kontroll mbi zgjatjen kohore të tyre, se një gjë e tillë është në Dorën e Allahut. Menstruacionet dhe gjakderdhja e paslindjes mund të zgjasë me ditë.
Ndaj, është e lejueshme për ta që ta lexojnë Kuranin në mënyrë që të mos e harrojnë atë çfarë kanë mësuar përmendsh, dhe që mos t’i humbasin vlerat e leximit të tij. Kjo po ashtu është që ata të mësojnë ligjet e Sheriatit nga Libri i Allahut. Pra, është edhe e lejueshme që ajo t’i lexojë librat e lutjeve që kanë ajete kuranore dhe hadithe të përziera me to. Ky është mendimi i saktë dhe është mendimi i saktë i dijetarëve, Allahu i mëshiroftë.
Ish-muftiu i Arabisë Saudite, Shejh Ibn Baz, “Fetaua el-Mer’e”