Pyetja:

Kam probleme të mëdha me flokët. Kanë filluar të më bien jashtë normales dhe frikësohem se do të ngeli pa flokë. Kam provuar shumë shampona por nuk më kanë ndihmuar. Dikush më ka thënë që t’i laj me birrë apo me një shampon që ka birrë brenda. Unë fali namaz dhe nuk e di se a lejohet kjo?

***

Përgjigjja:

Sa i përket dispozitës se a bën të lyhen flokët me birrë në mënyrë që të parandalohet rënia e tyre themi:

Nuk lejohet në asnjë formë të përdorni diçka që është e ndaluar konsumimi i saj, siç është fjala në këtë rast me birrën. Allahu i Madhëruar, kur bën diçka haram për robërit e Tij, atëherë Ai ndalon çdo formë të përfitimit nga ajo gjë. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Allahu i mallkoftë çifutët, pasi që u është ndaluar dhjami ata e kanë shkrirë atë dhe e kanë shitur.” [1]
Pra i ka mallkuar sepse kanë përfituar nga një produkt që veç u është bërë haram atyre.

Duhet të keni parasysh edhe një gjë, se nuk ka asnjë dobi që paramendohet se ekziston në gjërat që janë bërë të ndaluara,  përpos që ajo dobi të gjendet edhe në gjërat që janë hallall-të lejuara. Pra, Allahu gjithmonë kur ka ndaluar gjëra me urtësinë dhe mëshirën e Tij, Ai ka lënë alternativa tjera të lejuara dhe efektive.
Pejgamberi ﷺ në një hadith të vërtetë ka thënë: “Nuk ka lënë Allahu shërim për robërit e Tij në ato gjëra që ua ka ndaluar atyre.”

Fatmir Raçi

—————————–

[1] Muslimi