Pyetja:

A mund të shërohet steriliteti përmes Kuranit? Dhe, çfarë thotë Kurani rreth kësaj sëmundjeje apo si shpjegohet kjo në Kuran?

***

Përgjigjja:

I dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu për çdo sëmundje që ka zbritur, bashkë me të ka zbritur edhe ilaçin e saj, disa arrijnë ta zbulojnë e disa jo.” Ndërkohë që Allahu i madhëruar Kuranin e ka quajtur “Shërim”.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne shpallim prej Kuranit atë që është shërim.”
(El Isra: 82)

Ibnul-Kajim, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kurani është shërim për të gjitha sëmundjet e zemrës dhe të trupit, ato sëmundje që e dëmtojnë në ketë jetë dhe në jetën tjetër, por jo çdo njeriu i jepet mundësia dhe suksesi që të shërohet nëpërmjet tij. Nëse i sëmuri mjekohet mirë me të duke patur bindje, besim, pranim të plotë dhe është larg dyshimeve, duke plotësuar kushtet përkatëse, asnjë sëmundje nuk mund t’i rezistoje atij. E si mund t’i rezistojnë sëmundjet fjalëve të Zotit të Tokës dhe të qiellit?! Fjalë që nëse do të zbrisnin mbi male do t’i kishin thërrmuar e nëse do të zbrisnin mbi dhe do ta kishin çarë atë!”

Kështu që, njeriu mund ta kurojë sterilitetin nëpërmjet leximit të Kuranit, ose duke duke e lexuar Kuranin në mjaltë dhe gjatë ditës të hajë nga mjalti mbi të cilin ka lexuar Kuran. Njeriu duke u kuruar me Kuran apo mjaltë mbi të cilin ka lexuar Kuran mund të ndjekë edhe mjekim të rekomanduar prej mjekëve. Kryesoja është që njeriu të dijë, të besojë dhe të ndjejë çdo moment që shërimi vjen vetëm prej Allahut dhe se Allahu është Shëruesi i vërtetë.

Mbi të gjitha, vlen që njeriu zgjidhjen e çdo problemi ta kërkojë tek Allahu me lutje dhe përgjërim. T’i lutet Allahut përpara se të marrë shkaqet, t’i lutet Allahut gjatë marrjes së shkaqeve dhe t’i lutet Allahut pasi të ketë përfunduar shkaqet.

Për mjekime profetike apo popullore mund të drejtoheni tek njerëzit e profilizuar në këto fusha.
Sterilitetin Allahu e ka përmendur në një ajet ku thotë: “Allahu, kujt të dëshirojë i dhuron femra, kujt të dëshirojë i dhuron meshkuj dhe bën steril kë të dëshirojë.” (Shura: 50)

Në mbyllje, çdonjëri prej nesh duhet të kënaqet me atë që Zoti i ka bëre kësmet dhe i ka dhënë, duke mos reshtur së luturi dhe marrë shkaqet, sa të jetë e mundur dhe të dijë se caktimi i Zotit është gjeja më e mirë për njeriun e se në të qëndron urtësia absolute, pavarësisht nga fakti se ne njerëzit arrijmë ta kuptojmë apo jo.

Allahu e di më së miri!

Bilal Shkrepi