Pyetja:

Jam një motër muslimane jam në shkollë të mesme, deshta të pyes në lidhje me menstruacionet e bardha. Namazi i ikindisë më bjen ta fali në shkollë kështu që nëse kam rrjedhje të menstruacioneve të bardha a mund të fali namazin pa e përsëritur abdesin apo patjetër duhet ta përsëris atë? Unë kam lexuar që mundesh me u falë pa e përsërit po edhe të kundërtën. Nuk di ku të mbështetem!

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në lidhje me menstruacionet e bardha, dijetarët kanë ndryshuar mendimet e tyre. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ato janë të papastërta dhe se rrjedhja e tyre e prishë abdesin. Ndërsa disa prej dijetarëve janë të mendimit se ato janë të pastërta dhe rrjedhja e tyre nuk e prishë abdesin.

Mendimi në të cilin anojmë dhe mendojmë se është më i saktë, është mendimi se menstruacionet e bardha nuk e prishin abdesin, ngase ato (menstruacionet e bardha) ekzistojnë te shumë prej grave dhe kanë ekzistuar edhe te gratë në kohën e Pejgamberit ﷺ, dhe sikur të ishte prej gjërave që e prishë abdesin, pa dyshim se nuk do të ngelte Pejgamberi ﷺ pa e përmendur dhe pa e qartësuar atë. Por përderisa nuk ka ndonjë argument i cili urdhëron që pas rrjedhjes së tyre të merret abdes, atëherë nënkuptohet se rrjedhja e tyre nuk e prishë abdesin. [1]

Vetëm duhet theksuar se lëngu i cili rrjedh para marrëdhënieve intime, apo në raste të ngjashme me këtë, nuk ka të bëjë me menstruacionet e bardha, porse ky lëng quhet El-Medhju dhe është lëng i papastër i cili e prishë abdesin.

Ndërsa menstruacionet e bardha të cilat rrjedhin në shumë kohë dhe pa ndonjë shkak, apo shtohen gjatë shtatzënisë, apo gjatë ecjes dhe lodhjes së shumtë, etj. janë të pastërta dhe nuk e prishin abdesin. Kështuqë lejohet falja e namazit me atë abdes, duke mos pasur nevojë për ndërrimin e tij. [2]

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

——————————————–

[1] Xhamiu Ahkami Nisa’ 1/68.

[2] Sahih Fikhu Suneh 1/83.

Comments are closed.