Pyetja:

Cili është shpërblimi për edukimin ndaj vajzave?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Kush i posedon tre vajza dhe është i butë ndaj tyre, i furnizon ato, i edukon ato dhe i marton ato, do t’i bëhet atij obligim hyrja në Xhenet.” E pyetën njerëzit: O i Dërguar i Allahut! E nëse i ka dikush vetëm dy vajza? Pejgamberi ﷺ tha: Po, kjo vlen edhe për atë i cili posedon vetëm dy vajza. Disa njerëz thanë: Sigurisht se po ta pyesnim edhe për atë që posedon vetëm një vajzë, i Dërguari i Allahut do të thonte, se kjo gjë vlen edhe për atë i cili posedon edhe vetëm një vajzë.” [1]

Imam Zuhriu ka thënë: Kush ka një vajzë për të cilën kujdeset mirë, ajo do ta fusë në Xhennet. Kush ka dy vajza, ndaj të cilave sillet mirë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do ta mbrojnë nga zjarri. Ndërsa për atë që i ka tre vajza (me të cilat sillet mirë) kanë thënë se nuk e ka obligim xhihadin dhe as sadakanë. [2]

Shejh Ibn Baz thoshte: Bamirësia ndaj vajzave është duke i edukuar me edukatë islame, duke i mësuar e rritur në të vërtetën dhe duke qenë i përkushtuar që jenë të moralshme e të dëlira. Po ashtu duke i larguar nga gjërat që i ka ndaluar Allahu, si lakuriqësia etj. Kështu duhet të jetë edhe edukimi i motrave dhe djemve, në mënyrë që të gjithë të rriten e të edukohen në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit ﷺ, në largim nga haramet dhe në zbatim të së drejtës së Tij. Së këtejmi na bëhet e ditur se qëllimi nuk është që t’u bëjmë mirë vetëm duke i ushqyer e veshur, por diçka më e lartë se kjo.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————–

[1] Ahmedi dhe Taberani

[2] Ibn Ebi Dunja, “El-ijal”, fq. 93

Shpjegim: pjesa “nuk e ka obligim xhihadin dhe as sadakanë” nuk nënkupton aspektin normativ, por aspektin e fitimit të shpërblimit.

[3] Mexhmu’u Fetaua, 4/377