Pyetja:
Jam student dhe tri herë në javë kam ligjërata prej orës 12, që po i bie në kohë të drekës. Çfarë duhet të bëj, të shkoj në ligjërata apo të fal drekën?
***
Përgjigjja:
Çdo musliman obligohet të kujdeset për faljen e namazeve në kohën e tyre të caktuar, duke e zbatuar urdhrin e Allahut xh.sh.:
“…dhe faleni namazin në mënyrë të rregullt, vërtet namazi është obligim në kohë të caktuar për besimtarët.” (Nisa: 103)
Gjithashtu i Lartësuari thotë:
“Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.” (Bekare: 238)
Po ashtu muslimani duhet të kujdeset të mos bëhet prej atyre për të cilët Allahu xh.sh. ka thënë:
“Mjerë për ata, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.” (Maun: 4–5)
“Pas tyre erdhën brezni që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.” (Merjem: 59)
Ibën Mesudi r.a., në lidhje me fjalën “Gaja”, me të cilën i ka kërcënuar Allahu ata që e neglizhojnë namazin, ka thënë: “Është luginë në xhehenem që ka ushqim të pistë”.
Në xhamitë e Kosovës namazi i drekës sipas llogaritjes dimërore të kohës falet në orën 12:00, kurse sipas llogaritjes verore falet në orën 13:00, për shkak se kjo formë llogaritjeje është më e lehtë për xhematin. Mirëpo sipas takvimit, koha e drekës hyn çdo herë para orës 12 dimrit dhe para orës 13 verës. Sipas llogaritjes dimërore, më 24 tetor koha e drekës hyn në orën 11:24, kurse më 27 janar koha e drekës hyn në orën 11:54, d.m.th. para orës 12:00. Pasi koha e ligjëratave fillon në orën 12:00, gjatë llogaritjes dimërore ju keni mundësi ta falni namazin e drekës para fillimit të ligjëratës. Kurse gjatë llogaritjes verore distanca kohore ndërmjet namazit të drekës dhe ikindisë çdo herë është më shumë se tri orë, e në disa raste edhe katër orë. Prandaj mundësia për faljen e namazit të drekës është evidente, ngase gjatë ligjëratave patjetër duhet të ketë ndonjë pauzë, të cilën ju duhet ta shfrytëzoni për faljen e namazit. Sido që të jetë, prania në ligjërata nuk mund të konsiderohet si justifikim për mosfaljen e namazit në kohën e vet. Në raste të këtilla, kur keni obligime, ju mund të falni vetëm farzin e namazit të drekës. Pra, namazin kurrsesi nuk bën të mos e falni, e pastaj a do të faleni në klasë, në korridor apo në oborrin e shkollës, kjo nuk është me rëndësi. Me rëndësi është që namazin ta falni në kohën e tij.
Në këtë rast vlen të ceket se ka disa studentë apo punëtorë, të cilët kanë mundësi ta falin namazin, por nuk e falin në vendin e punës apo në shkollë ngase ngushtohen apo turpërohen të falen në prani të kolegëve të tyre, çka konsiderohet dobësi e madhe, ngase muslimani duhet të krenohet me namazin e tij duke u falur edhe në vende publike. Të mos harrojmë se falja e namazit në vende publike është davet më vete.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi