Pyetja:

Jam e fejuar mirëpo i fejuari im ka nis te me ofendoj shumë me fjalë fyese ndërsa unë jam një motër muslimane qe jam e mbuluar dhe fal namaz mirëpo durimit tim po i vie fundi andaj kërkoj një këshill prej jush si t’ja bej a duhet te vazhdoj te duroj ashtu si na ka edukuar Muhamedi a.s?

***

Përgjigjja:

Së pari, të përgëzoj për durimin, dhe besoj se ajo që bëni ju është shprehje e besimit tuaj dhe përkushtimit tuaj fetar.

Për sa i përket asaj se a duhet të bëni sabër apo të ndaheni, së pari duhet ta dini se fejesa nuk është martesë, por është një bisedë dhe pëlqim për martesë. Sipas rregullave të fesë islame, fejesa nuk ka fuqi ligjore, për atë edhe me të fejuarin nuk mund të mvetësohesh, as të kesh kontakt fizik dhe as të bësh biseda dashurie. Mund të bisedosh gjëra që u tangojnë të dy palëve, mund edhe të takohesh me të fejuarin në vend publik dhe në prezencë të personave që për ty janë mahrema (me të cilët nuk mund të martohesh) e të bisedosh për gjëra konkrete. Përndryshe, i fejuari është i huaj dhe nuk mund të zgjerohesh në kontakt me të jashtë rregullave fetare.

Nga kjo kuptohet se edhe ndarja prej tij, nuk ka pasojë fetare, nëse bëhet me shkak. Zgjedhja për martesë duhet të bëhet në bazë të fesë, e ai që fyen dhe ofendon, shihet se kah feja është i dobët dhe nuk meriton të jetë bashkëshort i ardhshëm, por duhet të zgjedhësh atë që është besimtar i denjë.

Mirëpo, veprimet e këtilla mund të jenë edhe të kalueshme dhe të vijnë si rezultat i cytjeve të ndryshme. Në fakt, i fejuari juaj mund të jetë djalosh i mirë, por ja e kapën ndonjë fazë dhe ka sjellje të këtilla të pazakonta, apo mund të jetë edhe çështje sihri. Në këtë rast ma mirë është të duroni dhe ta këshilloni.

Në fund, ju e vlerësoni vetë se pse vijnë sjelljet e këtilla dhe çka ka ndryshuar te ai. Nëse ai ka devijuar, atëherë kërko fatin me dikë që është i kënaqur Allahu dhe i Dërguari i Tij, pra që është një besimtar i devotshëm.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu