Pyetja:

A lejohet biseda mes një djali dhe një vajze që falin namaz?

***

Përgjigjja:

Jo, nuk lejohet një gjë e tillë pa marrë parasysh që niseni nga qëllimi i mirë. Një gjë që Allahu e ka ndaluar, ajo patjetër është në dëm të njerëzve dhe po të ishte dobia më e madhe Allahu nuk do t’i privonte robërit e Tij nga ato dobi.

Raportet vëlla e motër janë të mundshme vetëm ndaj vëllait e motrës së vërtetë. Supozimet se unë jam në gjendje të rri me njeriun me gjini të kundërt, që s’e kam asgjë, sikur të ishim vëlla e motër, janë prej mashtrimeve të shejtanit të mallkuar. Ai kështu njerëzit e mirë mundohet që përmes qëllimeve të mira t’i shpie drejt veprave që kanë përfundime të këqija.

Poeti arab, Ahmed Shevki, i shpreh fuqishëm intrigat e shejtanit si dhe etapat e ndjenjave “vëlla e motër” të të rinjve:

Kur më shikon mua, largohet nga unë, sikur mos të ekzistonin mes meje dhe asaj disa gjëra.

Shikim, pastaj buzëqeshje, më pas përshëndetje. Pastaj bisedë, dikur termin dhe më pas takim.

Si ishim, kur ishim, mos pyet! Këmbenim “dhurata” nga dashuria çfarë ne donim.

Nderin kishim kontrolluesin tonë, por në fuqinë e tij u lodhën dëshirat.

Keni frikë Allahun ndaj zemrave të të rejave, se zemrat e të rejave janë plot epsh dhe dashuri.

Çka pas këtyre fjalëve? Çfarë të mire mund t’i ofrosh tjetrit me gjini të kundërt, kur rrezikon dhe je në gjendje t’i shkaktosh dëme tepër të dhimbshme?!

Mos tentoni, që në emër të qëllimeve të mira t’i shkelni parimet islame të komunikimit me gjininë e kundërt!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku