Pyetje: Si mund ta bëj energjinë time pozitive? Domethënë, si të jem pozitiv në jetë, të shikoj të ardhmen me një pamje të bukur dhe të përballem me situatat me pozitivitet, edhe pse ka njerëz që përpiqen të më dobësojnë dhe të më shkatërrojnë forcën.

  Përgjigje.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

● Në formulimin e pyetjes shfaqet një problematikë që shpesh përsëritet tek njerëzit, dhe ajo është futja e termit “energji” në vende ku ai nuk ka kuptim të qartë.
Pra, tek fjalia e pyetëses “ta bëj energjinë time pozitive” dhe më pas përmendja e pozitivitetit dhe optimizmit, më bën të pyes: Cili është përfitimi nga përmendja e fjalës “energji” që në fillim?

●Sidoqoftë, ndër gjërat që e ndihmojnë njeriun të arrijë qetësi në zemër dhe lumturi në jetë janë disa çështje, prej të cilave përmendim:

1- Të mbështetesh te Allahu dhe të lidhesh pas Tij, dhe dije se kush mbështetet te Allahu, Allahu i mjafton. Allahu thotë:
{وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ }
“Dhe kush mbështetet te Allahu, Ai i mjafton” [Et-Talak: 3].

2- Veprimi sipas shkaqeve fetare dhe atyre logjike, pra kërko ndihmë nga Allahu, lute për nevojat e tua dhe puno për t’i arritur ato me mjete të lejuara.


3- Besimi në kaderin (caktimin) e Allahut dhe dorëzimi ndaj urdhrit të Tij, sepse jo gjithmonë njeriu arrin atë që dëshiron, edhe nëse i ka marrë të gjitha shkaqet. Këtu zemra qetësohet me kënaqësi dhe e di se çfarë e ka goditur është e mirë për të. Profeti ﷺ ka thënë:
“Çudi është çështja e besimtarit. Çdo gjë për të është mirë, dhe kjo nuk është për askënd tjetër përveçse për besimtarin: nëse i ndodh ndonjë e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të; e nëse e godet ndonjë e keqe, ai duron dhe kjo është mirë për të.”

4- Të marrësh forcën nga Allahu i Gjithëfuqishmi, e jo nga vetvetja apo nga njerëz të dobët. Nëse ndien se Allahu është me ty, nuk do të të shqetësojë ajo që bëjnë njerëzit. Allahu thotë për besimtarët e vërtetë:
{الَّذِينَ قَالَ لَهُمُ النَّاسُ إِنَّ النَّاسَ قَدْ جَمَعُوا لَكُمْ فَاخْشَوْهُمْ فَزَادَهُمْ إِيمَانًا وَقَالُوا حَسْبُنَا اللَّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ}

“Atyre u thanë njerëzit: “Njerëzit janë mbledhur kundër jush, prandaj frikësojuni atyre”, por kjo vetëm ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Na mjafton Allahu dhe sa mbrojtës i mirë është Ai!”” [Ali Imran: 173].
Kur Ebu Bekri u tremb nga keqbërësit, Profeti ﷺ i tha:
{لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا}

“Mos u mërzit, se Allahu është me ne!”, dhe rezultati ishte:
{فَأَنزَلَ اللَّهُ سَكِينَتَهُ عَلَيْهِ وَأَيَّدَهُ بِجُنُودٍ لَّمْ تَرَوْهَا}

“Atëherë Allahu i zbriti atij qetësinë e Tij dhe e përforcoi me ushtri që ju nuk i patë” [Teube: 40].

5- Dije se ndihma vjen nga Allahu, dhe Ai ndihmon këdo që ndihmon fenë e Tij. Allahu thotë:
{وَلَيَنصُرَنَّ اللَّهُ مَن يَنصُرُهُ}

“Dhe Allahu me siguri do ta ndihmojë atë që e ndihmon Atë” [Haxh: 40].
Dmth: “Që ndihmon fenë dhe profetin e Tij.”

6- Së fundi, mos e lidh zemrën me shkaqe iluzore dhe të ndaluara, siç janë ligjet shpirtërore apo praktikat filozofike të energjisë, sepse këto nuk të sjellin veçse më shumë dobësi dhe ligështi.

Allahu e di më së miri.

Dr. Adelina Kucana