Pyetja:
Më rrethojnë një mori pyetjesh dhe mendimesh të këqija. Më vijnë mendime nga më të ndryshmet rreth islamit, Zotit dhe krijimit. Më duket sikur nuk jam më myslimane siç kam qenë.
***
Përgjigjja:
Fillimisht, unë dua të të them që ti nuk je jobesimtare, as hipokrite, Zoti na ruajttë! Ajo që po të ndodhë, janë vesvese nga shejtani i cili synon të të largojë nga Zoti, duke të të hedhur dyshime në çështjet e besimit. Që të të largohen këto vesvese dhe dyshime, thjesht të duhet të informohesh më shumë rreth luftës që bën shejtani për ta larguar njeriun nga Zoti dhe besimi. Shkaqet që e çojnë besimtarin në një gjendje të tillë, siç e thamë, në radhë të parë është shejtani dhe së dyti, janë gjërat që kanë të bëjnë me vetë njeriun, nefsin e tij. Nëse janë mendime dhe vesvese nga vetja jote, të çfarëdo lloji qofshin, si mendime që përgënjeshtrojnë Zotin, profetin Muhamed ﷺ ligjet e sheriatit etj., janë mendime për të cilat nuk ke asnjë përgjegjësi. Të çfarëdo lloji të jenë këto mendime, nuk të nxjerrin nga kuadri i besimit, nuk të bëjnë jobesimtare ose mynafike. Nëse i ke nga nefsi yt, gjë e cila është normale dhe kujtdo i ndodh, ajo që të ka ndodhur ty, është se ke ndjekur linjën e këtyre mendimeve dhe nuk je orvatur t’i ndërpresësh.
Disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, vajtën dhe iu ankuan lidhur me këto mendime dhe vesvese, të cilat u dukeshin shumë të rënda. I Dërguari i Allahut ﷺ i pyeti: ”A i keni përjetuar këto?” I thanë: “Po”. I Dërguari i Allahut ﷺ u përgjigj: ”Ky është besimi i qartë.” [1]
Shohim që këto mendime dhe vesvese nuk e cenuan besimin e tyre. Shohim që Profeti Muhamed ﷺ u gëzua dhe i përgëzoi shokët e tij të cilët përjetonin mendime dhe vesvese që i bënin të dyshojnë në besimin e tyre tek Zoti.
Transmetohet se disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ vajtën dhe iu ankuan edhe ata për dyshimet dhe vesveset. Pejgamberi ﷺ u tha: ”Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi, Zoti është më i madhi. E falënderoj Zotin që intrigën më të madhe të shejtanit, e ka reduktuar në vesvese.” [2]
Shohim që Pejgamberi ﷺ i sqaroi se këto vesvese dhe mendime nuk e dëmtojnë dhe cenojnë besimin e tyre. Për rrjedhojë, besimtari nuk duhet t’u kushtojë vëmendje këtyre mendimeve dhe vesveseve, pasi nuk kanë asnjë pasojë. Kjo është diçka që u ndodh dhe e përjetojnë njerëzit e mirë, prandaj dhe nuk ke përse mërzitesh, por trajtoi duke ndjekur këshillat e mëposhtme:
1 – Kërko mbrojtjen e Zotit (Eudhu bil-lahi minesh shejtani raxhim).
Allahu i Madhëruar thotë: ”Nëse djalli fillon të të ngacmojë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” (Fussilet: 36)
2 – Fryrja sikur pështyn në krah të majtë, tre herë.
3 – Ndërprit të menduarit. Kjo, duke mos lejuar që të zhytesh thellë e më thellë në këto ide dhe mendime. S’ke përse përhumbesh në këto mendime dhe vesvese. Mënyra më e mirë për t’i luftuar ato është duke e ndërprerë rrjedhën e mendimit dhe duke e zëvendësuar atë me përmendje të Zotit dhe punë të mira, çfarëdo lloj punësh për të cilat shpërblehesh. Sa herë që besimtari përmend Zotin dhe e përkujton shpesh atë, aq më shumë ia dobëson fuqinë dhe ia harxhon energjitë shejtanit. Një nga cilësitë e shejtanit, që përmendet dhe në suren Nas, është “khannas” që do të thotë që fshihet dhe largohet nga ai njeri dhe vend ku përmendet emri i Zotit. Qetësohu dhe mos u hidhëro! Mos e shih dhe mos e akuzo veten si jobesimtare, as si mynafike. Tani që u ndërgjegjësove mbi burimin kryesor të këtyre mendimeve dhe faktin që nuk të cenohet besimi, fokusohu pak më shumë mbi shkaktarët personalë të kësaj ndjesie.
Një shkak tjetër, përveç shejtanit, që e çon besimtarin të mendojë gjëra të tillë, janë dhe gjynahet, të cilat ne zakonisht i fshehim dhe para njerëzve dalim dhe hiqemi si besimtarë dhe njerëz të mirë. Ky lloj dualizmi është i lodhshëm dhe çon në mendime të tilla. Por, edhe nëse besimtari dhe besimtarja rrëshqasin në gjynahe, ata duhet të rendin dhe ta trajtojnë gjynahun me pendim. Allahu i Madhëruar thotë: ”Thuaj o robërit e Mi që e keni ngarkuar veten me gjynahe, mos e humbisni shpresën tek Zoti, Ai i fal të gjitha gjynahet, Ai është Falës dhe i Mëshirshëm.” (Zummer: 53)
Në një hadith, i Dërguari i Allahut ﷺ e përshkruan gjendjen e besimtarit me fjalët: ”Pasha Zotin, nëse ju nuk do të bënit gjynahe, Zoti do u hiqte nga kjo botë, do të sillte një popull tjetër që bënin gjynahe, pendoheshin dhe Zoti i falte.” [3]
Pendimi ta falë ndjesinë e të qenit pranë Zotit, se po i drejtohesh dhe i përgjërohesh Atij që është falës, i dashur dhe i dhembshur, Atij që thotë: Vërtet Allahu ka përcaktuar në Libër (Leuhil Mahfudh) para se t’i krijoj krijesat, se: “Vërtet mëshira Ime e ka tejkaluar hidhërimin Tim.” E kjo është e shkruar tek Ai mbi Arsh.” [4]
Ruaju nga demoralizimi dhe humbja e shpresës tek Zoti, oj motër, as mos e ço nëpër mend se je e privuar nga të qenët pranë Zotit. Sa herë që të rrëshqasësh në një gabim dhe gjynah, thuaj: ”Gabova dhe më mundi shejtani dhe nefsi im këtë herë. Do e rregulloj me pendim të sinqertë”. Mënyra më e mirë për ta trajtuar gjynahun është të shpejtosh të pendohesh, saqë në raste të tilla, Zoti thotë: ”Robi im, bëj ç’të duash se të kam falur.”
Këtu nuk është qëllimi që njeriut i hapet porta e gjynaheve, por qëllimi është që t’i thuhet se kurdo që të trokasë në portën e rahmetit të Zotit, do e gjejë atë të hapur. Prandaj, ki shpresë tek Zoti dhe bëj durim ndaj sfidave të kësaj bote, sidomos nëse nuk je e martuar dhe ambienti përreth nuk të ndihmon shumë për të ruajtur emrin, nderin dhe dinjitetin tënd.
Muhamed Dërmaku
——————-
[1] Muslimi
[2] Ebu Davudi
[3] Muslimi
[4] Buhariu