Pyetja:
Jam një nënë e tre fëmijëve dhe jetoj në bashkësi. Kunetërit dhe kunatat tallen me mua se falem duke thënë: ani kinse po falem. Ata nuk më flasin përveç vjehrrës, burrit dhe fëmijëve dhe kjo më bren shumë. Prejse jam martuar më shumë s’kam folur se që kam folur me ta. Por, as me burrin s’i kam pasur raportet mirë gjithmonë, kemi pasur probleme pasi njerëzit e shtëpisë i kanë folur keq për mua shumë, vetëm Zoti e di. Po ashtu edhe burrin m’a sundojnë e edhe fëmijët. Po kam dëshirë ta ndërroj vendbanimin por s’po kemi kushte. Burri kur ka pasur para i ka sjellë në shtëpi dhe me to kemi ngrënë të gjithë e tash kur s’po ka punë po i thonë se ke me dalë prej shtëpisë. Nuk e di se çka të bëj; jam si shërbëtore, nga unë të gjitha i presin si hajen, pijen, iu shërbej dhe nuk flasin me mua, shumë keq e ndiej veten, edhe kunatat kanë çu dorë me më ra po ashtu edhe kunetërit. Burri s’kish çka të bënte. Vetëm te Zoti nuk më humb shpresa se një ditë do të largohem prej tyre se është shumë vështirë për të jetuar me ta. Një kunatë që e kam pasur ka jetuar me ta tri vite por është sëmurë psiqikisht. Vetëm asaj po i frikohem. Unë i fali kohët e namazit, jam duke e lexuar Kuranin për së dyti herë dhe kam dëshirë ta mësoj arabishten.
***
Përgjigjja:
Motër muslimane, mos harro se Allahu i sprovon robërit e Tij sipas imanit që e kanë; nëse e kanë imanin e ngritur ua shton sprovën atyre e nëse e kanë imanin e dobët ua zvogëlon sprovat dhe Allahu vazhdon ta sprovoj robin e Tij derisa të ec nëpër tokë dhe nuk e ka asnjë gjynah. Mundohu ta këshillosh burrin që të falë namaz dhe duhet ta lutni Allahun që t’ju largojë nga kjo sprovë dhe mos harro se Allahu i sheh të gjitha padrejtësitë që iu bëhen robërve të Tij. Bën durim dhe lute Allahun që të forcojë në Islam se inshallah shpejt do të zgjidhet ky problem. Por, kujdes nga gjynahet se ato e ndalojnë çdo të mirë që vjen prej Allahut. Allahu thotë: “Kush i ka frikë Allahut, Ai i gjen atij rrugëdalje dhe e furnizon kah nuk e mendon.” (Talak: 3)
Allahu ua lehtësoftë!
Bedri Robaj