Pyetja:
Prej cilës kohë muslimanët për namaz dhe gjatë namazit kanë filluar të drejtohen kah Qabeja dhe pse?
***
Përgjigjja:
Namazi për muslimanët është bërë obligim (farz) me rastin e ndodhisë së mrekullisë së Mi’raxhit të Pejgamberit ﷺ. Në fillim, kur Pejgamberit ﷺ i është shpallur obligueshmëria e pesë kohëve të namazit, muslimanët namazet e tyre i falnin në drejtim të Bejtul-Makdisit, Xhamisë së Kudsit, e cila ndodhet në qytetin e Kudsit të sotëm në Palestinë (Jerusalem). Kur muslimanët ishin në Mekë, drejtoheshin në drejtim të Bejtul-Makdisit duke e pasur përballë Qabenë.
Pas shpërnguljes në Medinë, muslimanët kanë vazhduar të falen në drejtim të Bejtul-Makdisit, por duke e pasur Qabenë prapa shpine. Kjo ka vazhduar për gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj radhazi, kurse dëshira e Pejgamberit ﷺ ishte që të drejtohej kah Qabeja dhe këtë dëshirë Allahu i Lartësuar ia plotëson të dashurit të Tij me zbritjen e ajetit kuranor duke i thënë:
“Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kible (Qabeja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së Xhamisë së Shenjtë (Qabesë) dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata.” (Bekare: 144)
Nëpërmjet zbritjes së këtij ajeti kuranor, Pejgamberit ﷺ iu bë obligim kthimi kah Qabeja gjatë faljes së namazit dhe me këtë përfundimisht muslimanët e të katër anëve të rruzullit tokësor obligohen që në namazet e tyre të drejtohen në drejtim të Qabesë, prandaj drejtimi kah Qabeja është kusht për vlefshmërinë e namazit deri në Ditën e Kijametit.
Kurse sa i përket arsyes së kthimit të kibles në drejtim të Qabesë, para dhënies së përgjigjes patjetër duhet t’ju përkujtojmë disa gjëra:
- E para: Neve muslimanëve kur na vjen ndonjë urdhër nga Allahu apo nga i Dërguari i Tij ﷺ, e kemi obligim ta pranojmë dhe ta zbatojmë pa marrë parasysh a e kuptojmë apo jo urtësinë e atij urdhri. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë:
“Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Ahzab: 36)
- E dyta: Të gjitha dispozitat dhe urdhëresat e Allahut të Lartësuar përmbajnë urtësi madhështore, edhe pse ne ndoshta nuk mund t’i vërejmë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Këto janë dispozita të Allahut me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; Allahu është më i dijshmi, më i informuari.” (Mumtehine: 10)
- E treta: Allahu i Lartësuar nuk e anulon asnjë dispozitë përveçse sjell ndonjë dispozitë e cila është më e vlefshme apo më e mirë se e para, ose e ngjashme me atë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet Tona apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e ke ditur se Allahu është i plotfuqishëm për çdo send?” (Bekare: 106)
Pas këtij sqarimi mund të themi se në ndërrimin e drejtimit të kibles kah Qabeja ka urtësitë në vijim:
1. Thuhet se prej urtësive është se arabët në kohën e injorancës e madhëronin Qabenë e Shenjtë dhe ishin tepër të lidhur me të. E kur erdhi Islami, deshi që zemrat të cilat e adhurojnë Allahun të jenë të pastra nga çdo lidhje me këdo tjetër përpos Allahut xh.sh., andaj edhe ua largoi kiblen nga Meka në drejtim të Kudsi Sherifit për një kohë jo të shkurtër, në mënyrë që njerëzit të spastrohen nga çdo lidhje që kanë pasur në xhahiljet, në kohën e injorancës. E më pas, kur zemrat u spastruan dhe iu përkushtuan plotësisht Allahut xh.sh., atëherë Allahu ua ktheu kiblen në Qabe duke ua bërë kible të veçantë nga ithtarët e librave të shenjtë, pra kible e veçantë për muslimanët.
2. Sprovimi i sinqeritetit të besimtarit, ngase besimtari i sinqertë e pranon dispozitën e Allahut pa kurrfarë luhatjeje e hezitimi. Allahu xh.sh. thotë:
“E kiblen, nga e cila ti u drejtove, nuk e bëmë për tjetër vetëm se për të provuar atë që shkon pas të Dërguarit nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë e vështirë (për disa), por jo edhe për ata që Allahu i drejtoi. Allahu nuk është që t’ua humbë besimin tuaj. S’ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve.” (Bekare: 143)
3. Kthimi i davetit në bazën apo në çerdhen e tij të parë, ngase shtëpia e parë e Allahut (siç e dimë) ka qenë Qabeja, e prej Qabesë kibla ka kaluar në Bejtul Makdis për hir të shenjtërisë së Kudsi Sherifit, e më pas u kthye në Mekë sërish.
4. Thuhet se është sinjal se Meka do të çlirohet dhe se muslimanët bashkë me Pejgamberin ﷺ do të kthehen sërish në Mekën e Shenjtë, andaj le të punojnë shumë që ta arrijnë atë sa më parë. Kjo i bie të jetë myzhde për Pejgamberin ﷺ, se do ta pastrojë Qabenë nga idhujtaria.
5. Pozita e madhe që kishte Pejgamberi ﷺ tek Allahu i Madhëruar, ngase Ai ia plotësoi dëshirën e tij dhe e bëri atë të lumtur duke ia mundësuar që të kthehet në drejtim të Qabesë, të cilën e kërkonte me shpirt, siç e ka cekur Allahu: “Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabeja) që ti e do atë.” (Bekare: 144)
6. Përderisa ceremonitë e haxhit janë të lidhura ngushtë me Qabenë e Bekuar, iu përshtat që edhe namazi të jetë i lidhur ngushtë me të, ngase që të dyja, edhe haxhi edhe namazi, janë shtylla të fesë.
7. Duke i shtuar të gjitha atyre urtësive edhe bashkimin e të gjithë muslimanëve nga të katër anët e botës në çdo kohë dhe çdo vend, në një kible. Duke pasur parasysh faktin se ne muslimanët jemi shoqëria më e zgjedhur që ka pasur njerëzimi, i Lartësuari thotë:
“Ju jeni populli më i dobishëm, (më i zgjedhur) i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.”
(Ali Imran: 110)
Ndërsa në lidhje me ajetet e kibles Allahu xh.sh., thotë:
“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne ju bëmë ju një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve dhe për të qenë i Dërguari dëshmitar ndaj jush. E kiblen, nga e cila ti u drejtove, nuk e bëmë për tjetër vetëm se për të provuar atë që shkon pas të Dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që Allahu i drejtoi. Allahu nuk është që t’ua humbë besimin tuaj. S’ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve.” (Bekare: 143)
Prandaj i Lartësuari ka zgjedhur për këtë umet më të dobishmen në çdo gjë, më të vlefshmen në dispozitën e urdhëresave dhe ndalesave, e prej tyre është edhe caktimi i kibles në drejtim të Qabesë, e cila ishte edhe kibla e Ibrahimit (alejhi selam).
Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ në lidhje me pasuesit e librit (hebrenjtë dhe të krishterët) ka thënë: “Ata nuk na xhelozojnë për ndonjë gjë më shumë sesa xhelozia e tyre ndaj nesh për ditën e xhumasë, ngase Allahu na ka udhëzuar për të (pra na ka treguar ditën e xhumasë) e i ka humbur ata, për kiblen të cilën Allahu na ka udhëzuar në të dhe i ka humbur ata, dhe për fjalën tonë që themi pas imamit (në namaz) amin.” [1]
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————–
[1] Ahmedi në Musned, 6/134-135, nr. (25029) 25543. Albani e ka konsideruar sahih, në Silsile Sahiha, nr. 691. Gjithashtu Shuajbi e ka konsideruar sahih.