Pyetja:

Kam ndër mend t’i bëj djemtë synet, a është mirë të bëj mevlud për këtë syneti?

***

Përgjigjja:

Në popullin tonë synetimi i fëmijëve konsiderohet prej momenteve më të lumtura në jetën e prindërve dhe familjes së gjerë. Prandaj nuk ka asgjë të keqe nëse këtë gëzim e shprehim në suaza të së lejuarës duke shtruar ushqim për të ftuarit si dhe me lexim të Kur’anit, ligjëratave apo edhe me këndimin e ilahive me përmbajtje të mirë.

Mevludi është përmbledhja e poezive ku shprehen lëvdata dhe fjalë miradije për Muhamedin ﷺ, të shkruara nga poetë të ndryshëm.

Problemi në këndimin e mevludit qëndron në faktin se shpeshherë nëpërmjet vargjeve të mevludit i përshkruhen Pejgamberit ﷺ lavdërime të tepruara, që janë të bazuara në hadithe të dobëta dhe të shpikura. Kësaj i shtohet edhe fakti se këndimi i pjesëve të mevludit është përhapur aq shumë, saqë shumë njerëz e konsiderojnë si ibadet-adhurim shumë të rëndësishëm.

Bindja se mevludi duhet të këndohet në raste të veçanta është risi në fe prej së cilës duhet të largohemi. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” [1]

Andaj ti bëji fëmijët synet, shtro drekë apo darkë, por mos i bëj me mevlud. Vlen të ceket se synetimi në Islam konsiderohet ibadet, por për fat të keq shumë familje tona me rastin e synetisë organizojnë ahengje dhe bankete me harxhime të panevojshme, madje shpeshherë edhe të dëmshme. Organizimi i synetisë me muzikë, alkool dhe me përzierjen e burrave dhe grave në një vend është prej veprave më të shëmtuara që nuk duhet të ketë vend në mesin e muslimanëve.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 2697.