I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është pyetur se a do ta shohin besimtarët Zotin e tyre në Ditën e Gjykimit.
Atëherë i Derguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), ka pyetur: “A ju pengon diçka që ta shihni diellin kur nuk ka vranësira?”
“Jo, o i Dërguari i Allahut,” u përgjigjën ata.
“A ju pengon diçka që ta shihni hënën në natën e kthjellët pa re?”
“Jo, o i Dërguar”, thanë sahabët.
“Ashtu do shihni Allahun në Ditën e Gjykimit.”[Buhariu dhe Muslimi]3

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) është pyetur për kaderin dhe për atë se çfarë pjese kanë njerëzit në të. A është ai i përcaktuar apo ricaktohet sërish?
Ai tha:“Ai është i përfunduar dhe i kryer?”
Pastaj e pyetën:“Atëherë, pse është vepra?”
I Dërguari u përgjigj: “Punoni, secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar (percaktuar). Ai i cili është prej të lumturve, do t’i lehtësohet kryerja e punëve të të lumturve (xhenetlinjve). Ndërsa, kush është prej fatkeqeve do t’i lehtësohet kryerja e punëve të fatkeqëve (xhenenemlinjeve).”
Pastaj, e lexoi ajetin Kur’ anor: “E sa i përket atij që jep dhe ruhet. Dhe vërteton bindshëm për më të mirën,”e deri në fund të ajetit.4

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) është pyetur se a e di Allahu se çfarë njerëzit fshehin në vetvete: “Po”, u përgjigj i Dërguari. [Buhariu dhe Muslimi]5

Transmetohet se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) është pyetur: “Ku ka qenë Zoti ynë para se të krijohen qiejt dhe toka?”
Nuk e refuzoi atë që pyeti dhe tha: “Ishte mbi vranësira6, mbi Të nuk kishte asgjë dhe nën Të asgjë nuk kishte.”7

I pyetur për fillimin e krijimit të kësaj bote, i Dërguari i Allahut sal-lAllallu alejhi ue sel-lem, u përgjigj: “Allahu ka ekzistuar dhe asgjë nuk kishte përveç Tij. Arshi i Tij ishte mbi ujë.Pastaj gjithçka shkroi në Levhi Mahfudh, në Librin e Kaderit.” [Buhariu]8

U pyet i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem): “Ku do të jenë njerëzit atë ditë kur toka të zëvendësohet me një tokë tjetër?”
Ai u përgjigj: “Në urën e Siratt.”
Në një transmetim tjetër thuhet:”Ata do të jenë në errësirë, para urës (Siratit).”
Pastaj e pyetën:”Kush do të kalojë i pari?” “Muhaxhirët e varfër.9” [Muslimi]10
Nuk ka kundërthënie ndërmjet këtyre dy përgjigjeve. Errësira është në fillim të Siratit dhe këtu fillon ndryshimi i pamjes së tokës, ndërsa përfundon derisa njerëzit gjenden në urën e Siratit.
Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), për fjalët e Allahut të Lartësuar: “Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë.” [Inshikak: 8] “Mendohet për paraqitjen e veprave,”u përgjigj i Dërguari. [Muslimi]
Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), se çka do të hanë së pari herë banorët e xhennetit: “Ligamentet e rrumbullakëta të mëlçisë së balenës.”11
“Pas kësaj, cili ushqim do të jetë?“12
“Do t’u theret një ka nga Xhenneti i cili ka kullotur nga luginat e tij.”
“Çfarë pije do të jetë pas këtyre?” “Prej burimit të quajtur Selsebil”, u përgjigj i Dërguari13. [Muslimi]

Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem): “A e ke parë ti Zotin tënd?” “Vetëm dritë. Si ta shoh Atë?!” u përgjigj i Dërguari.14

E ka përmendur afërsinë dhe ka tërhequr vërejtjen në atë që pengon shikimin e ajo është drita, e cila është perdja e Allahut të Lartësuar, e nëse e largon, asgjë para Tij nuk do ta përballon fuqinë e dritës.

Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem): “Çka do të bëjë Zoti ynë kur do ta takojmë?”
“Do të dilni para Tij dhe fletat e juaja do t’i paraqiten Atij; asgjë nuk do të jetë e fshehur nga veprat tua. Pastaj Allahu i Lartësuar me dorën e Tij do të marrë një grusht ujë dhe me të do të spërkasë drejt juve. Pasha Zotin tuaj, nuk do të gabojë asnjërin prej jush asnjë pikë ujë. Sa i përket muslimanëve, fytyrën e tij do ta bëjë gunë të bardhë15, derisa mosbesimtarin do ta qëllojë në hundë16, duke lënë në fytyrën e tij vulën e nënçmimit të zi sikur qymyri.” [Ahmedi]17

Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem): “Si do ta shohim Atë kur Ai do të largojë diellin dhë hënën?”
U përgjigj: “Ashtu siç po sheh në këtë moment, gjatë lindjes së diellit derisa e ndriçonte tokën, pastaj e penguan malet.”
Pastaj, sërish u pyet: “Me çka do të shpërblehemi për veprat tona të mira dhe të këqija?” “Vepra e mirë do të shpërblehet dhjetëfish, ndërsa vepra e keqe sipas mëkatit ose do të falet.”
“Çka do të shohim për së pari herë në Xhennet?18
“Lumenj nga mjalti i pastër dhe lumenj vere, prej së cilës nuk të dhemb koka e as pendimi dhe lumenj nga qumështi me shije të pandryshueshme dhe ujë të pandërprerë. Fruta të cilat pasha Zotin tuaj i keni të njohura, por edhe më të mira. Dhe gra të pastra.”
Prap pyetën: “Vallë edhe atje do të kemi gra?”
“Gra të mira për burra të mirë. Do të kënaqeni njëri në tjetrin19 ashtu siç kënaqeni në këtë botë, vetëm se nuk do të ketë lindje.”20 [Ahmedi]

Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) se në çfarë mënyre i vjen Shpallja.
Tha: “Nganjëherë më vjen sikur zilja e fortë21. Kjo është mënyra më e rëndë e Shpalljes. Kur cingërrima përfundonte, unë plotësisht e mbaja në mend atë që ma dorëzoi Xhibrili. Nganjëherë meleku më paraqitej në formë të njeriut.” [Mutefekun alejhi]22

Është pyetur i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) për atë se pse fëmija nganjëherë i gjason të atit e nganjëherë nënës së tij dhe ka thënë: “Nëse sperma e mashkullit e tejkalon të gruas – i përngjanë atij, ndërsa nëse fara e gruas e tejkalon atë të mashkullit – i përngjanë asaj.” [Buhariu dhe Muslimi]23
Muslimi në këtë “Sahih” transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse sperma e mashkullit e mbisundon atë të femrës, me dëshirën e Allahut fëmija do të jetë mashkull. Nëse sperma e femrës e mbisundon atë të mashkullit, me dëshirën e Allahut fëmija do të jetë femër.”24

 

Burimi: Fetvatë e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) Ibn Kajimi

 

3 Buhariu, nr.11/358 dhe nr. 13/358,”Et-Teuhid”, kaptina e fjalëve të Allahut, Muslimi, nr, 182, transmeton Ebu Hurejre (radijAllahu anhu), dhe 183,”EI-Iman.” Transmeton Ebu Se’id el-Hudriu (radijAllahu anhu). Janë të qarta argumentet e besueshme nga Kur’ani, Sunneti dhe Ixhmai (pajtueshmëria e sahabëve si dhe parardhësve të drejtë për saktësinë), se besimtarët në Ditën e Gjykimit do ta shohin Allahun (subhanehu ue teala); hadithi është mutevatir (pa ndërprerje deri të i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem)).
4 Ajetet në tërësi kanë kuptimin:”E, sa i përket atij që jep dhe ruhet. Dhe vërteton bindshëm për më të mirën. Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën. E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti), Dhe që përgenjeshtron atë më të mirën.Ne do ta përgatisim për më të vështirën.” [Sureja Lejl: 5-10]
5 Muslimi, nr.2647,”EI Kader”, Ahmedi,”Musned”, (6/129), (67/4), (167/2) dhe “Xhami’-l-Usul”, me resensionin tim, nr. 10/108-112.
6 Ama, ka dy kuptime: Me medd (zgjatje) do të thotë vranësirë. Ndërsa pa zgjatje: “Nuk kishte asgjë pranë Tij.”
7 Ahmedi,”Musned”, 41/1, 12, Tirmidhiu. Nr. 3108 “Tefsir i sures Hud”, Ibn Maxhe, nr. 182 “El Mukaddime.” Hadithi i Ebu-Ruzejn el-Akiliut është daif (i dobët), derisa Tirmidhiu dhe të tjerët muhadithë thonë se ky hadith është hasen (i mirë).
8 Kjo është një pjesë e hadithi të gjatë të cilin e përmend Buhariu, nr. 66/8,”El-Megazijj” “Tefsiri i ajetit kur’anor.”
9 Muhaxhirët më të varfër të cilët kanë bërë hixhretin prej Mekës në Medinë.
10 Muslimi, 315.
11 Në transmetimin e Muslimit qëndron: “Skajet e mëlçisë së balenës.”
12 Egzistojnë dy transmetime. Në të parën theksohet giza’uhum, në tjetrin: gida’uhum. Sipas mendimit të Kadij ibn-Ijadit, transmetimi i dytë është më i drejtë sepse ajo përmendet në shumë vende.
13 Muslimi,”Në Sahih”, nr. 315,”Për hajzin.”
14 Muslimi, nr. 178 “El-Iman”, ndërsa përemri: “Si ta shoh Atë,” ka të bëjë për Allahun (subhanehu ue teala), që do të thotë: “Drita pengon shikimin e drejtpërdrejtë.”
15 Lloj i pëlhurës së hollë dhe të butë.
16 Në të gjitha librat e botuara qëndron: “Do ta godasë në hundë, dhe jo vetëm kaq, do t’i lerë një shenjë poshtërimi sikur qymyri i zi.”
17 Ahmedi,”Musned”, 4/13.
18 Në të gjitha librat e mëhershëm të botuar qëndron: “çfarë uji do të shohin?”, derisa në Musned 14/4 është përmirësuar sikur në tekstin e theksuar.
19 Në Musned: “Ato do të kënaqen në ju.”
20 Ahmedi, ‘Musned’, 4/14 ndërsa kjo është pjesë e hadithit të mëhershëm.
21 Cingërrima e fuqishme e ziles.
22 Buhariu, 1/18,”El-Iman’, Muslimi, nr. 2333 dhe 87; Hadithin e transmeton Haris ibn Hishami (radijAllahu anhu).
23 Buhariu,”Menakibu-l-Ensar “, 7/212, ‘Tefsir’, 8/125. Muslimi, nr.311, Ahmedi, ‘Musned’, 3/271; hadithin e transmeton Enes b. Maliku (radijAllahu anhu). Tekstin e këtij hadithi, Buhariu e regjistron: “Nëse sperma e mashkullit e tejkalon atë të femrës, fëmija do të jetë mashkull, ndërsa nëse fara e gruas e tejkalon atë të mashkullit, atëherë fëmija do të jetë femër”, derisa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Lëngu i mashkullit është i bardhë dhe i trashë, derisa e femrës është e rrallë dhe e verdhë, dhe cilado ta tejkalojë tjetrën, përgjasimi i takon atij.” Në transmetimin e Ahmedit qëndron: “Nëse lëngu i mashkullit e tejkalon atë të femrës, atëherë fëmija i përngjason atij, ndërsa nëse është e kundërta, në këtë rast përgjasimi i fëmijës shkon sipas saj.” Në një transmetim tjetër të Muslimit qëndron: “Nëse lëngu i saj e tejkalon të mashkullit, fëmija do t’i përngjajë dajallarëve, ndërsa nëse lëngu i mashkullit e tejkalon të sajën, i përngjanë xhaxhallarëve.”
24 Muslimi, nr. 317, ‘Rreth Hajzit’, kaptina “Shpjegimi (nxjerrja) e cilësive të lëngut produktiv mashkullor dhe femëror dhe se fëmija është i krijuar prej atyre dy lëngjeve.”