Pyetja: Jam një djalosh afër të 20-tave, dhe kam 2 sprova të mëdha të cilat po më shkatërrojnë jetën (literalisht), sprova e parë është gjumi, unë rri tërë natën zgjuar dhe flej pas faljes së namazit të sabahut por pastaj zgjohem pas ezanit të ikindisë, pra unë nuk e falë namazin e drekës në kohën e vet e ndonjëherë edhe të ikindisë, ndihem shumë keq por edhe i hutuar shkaku se lë alarm e bie me sinqeritet duke u munduar ti falë namazet në kohën e vet dhe më ndodhë e kundërta, kurse sprova e dytë është se shumicën e kohës zgjohem i papastërt (Xhunub), dhe jam lodhur duke qenë i detyruar të bëj gusl çdo herë pasi zgjohem nga gjumi e ndonjëherë zgjohem 20 minuta para Ikindisë dhe gjendem i papastërt e nuk di si të veproj, e këtë sprovën e dytë kaq të madhe mendoj se e kam përshkak se e kam qeshur një vëlla që ka të njejtën sprovë, andaj si të veproj në mënyrë që të dalë nga këto sprova dhe të afrohem tek Allahu, pres përgjigje, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigja:

Falenderimi i takon Allahut s.v.t. e përshëndetjet tona me salate dhe selame ia dedikojmë të dashurit tonë Muhamedit s.a.v.s. familjes së tij fisnike dhe shokëve të tij besnikë.
Vëlla i nderuar, ndryshimi i kësaj gjendje është në dorën tënde. Urgjentisht ti duhet të marrësh vendimin tënd për veten tënde se unë dua ta ndryshojë këtë gjendje. Hapin e parë vetëm se e paske të kryer pasiqë ndërgjegja po të mundon dhe dëshirën për ndryshim e ke shpreh. Tashti të duhet vullneti dhe mbështetja e fortë në të Plotfushishmin e kërkimin ndihmë prej Tij që të dalësh nga kjo gjendje.
Hapin e parë konkret që duhet ta bësh është që ta ndryshosh orarin e gjumit dhe të kthehesh në natyrshmërinë që e ka krijuar Allahu s.v.t. të biesh herët e të zgjohesh herët. Ndoshta kjo për fillim të vie vështirë por këtu është piknisja. Edhe nëse disa ditë vazhdon me gjumë të çrregulluar e të mangët, nuk të bën dëm asgjë dhe me lejen e Allahut s.v.t. ora biologjike e trupit tënd me kënaqësi do ti përshtatet këtij orari të natyrshëm për të pasiqë kjo edhe i duhet. Prandaj çështja kthehet tek vendosmëria jote për të ndryshuat këtë shprehi. Muslimanit i cili kërkon ndihmë e forcë nga i Larmadhërishmi dhe i Plotfushiqmi nuk i ka hije të ligshtohet para një vesi të dobësohet para një shprehie të cilën në fund të fundit vet e ka formu me kohë!
Prandaj këtë hapin e parë filloje menjëherë, të biesh me kohë në shtratin tënd, dhe të qëndrosh aty derisa të merrë gjumi. Kohën para gjumit e cila në fazat e para edhe mund të jetë e gjatë shfrytëzoje për kërkimfalje -istigfar të shumtë nga gabimet e gjynahet e së kaluarës. Poashtu dhikri dhe duaja le të jenë shoqëruesi yt në jastakun e gjumit e assesi telefoni dhe rrjetet sociale, pasiqë efekti i tyre është me dëme të shumta dhe efekte të kundërta me atë që ti po synon.
Edhe ditën mbushe me aktivitete të dobishme përveç ibadetit lexim, sport, punë etj.
Problemi i namazit dhe ai tjetri me lejen e Allahut zgjidhen vet në mënyrë të natyrshme pastaj inshaAllah.
Mbështetju Allahut të Gjitmëshirshmit Mëshirplotit dhe filloje ndryshimin.

Burimi: pergjigje.net