Në besimin në Ditën e Fundit përfshihen disa çështje, por do të ndalemi në disa prej tyre.

1. Besimi në llogarinë e veprave, se Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë robërit e Tij për vepra të mira e do t’i ndëshkojë për mëkate e tyre.

Allahu i Lartësuar, thotë:Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne dhe patjetër që do të japin llogari para Nesh!” ( Surja Gashije: 25- 26)

2. Besimi në Xhenetin dhe Xhehenemin dhe se bota e Ahiretit do të jetë e amshueshme për njerëzimin. Allahu e ka përgatitur Xhenetin si shpërblim për robërit e devotshëm që i kanë pasuar urdhrat e Tij, për besimtarët e sinqertë, të devotshëm, kurse Xhehenemin (zjarrin) e ka përgatitur për mëkatarët që i kanë thyer urdhrat e Allahut të Lartësuar, për hipokritët dhe jobesimtarët.

Allahu në Kur’an përshkruan pallatet e besimtarëve në Xhenet ku thotë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përgjithmonë.” (Suria Bejineh: 7-8)

Kurse për vendbanimin e jobesimtarëve dhe hipokritëve thotë: “Dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët”. ( Surja Ali Imran: 131)

Po ashtu thotë: “Vërtet, Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe ka përgatitur për ata zjarr të flakëruar, në të cilin ata do të qëndrojnë përgjithmonë, aty nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës”.( Surja Ahzab: 64-65)

Besimi në Ditën e Fundit përmbledh edhe besimin në ndodhitë e pasvdekjes, të cilat janë:

1. Sprova e varrit: Me këtë kemi për qëllim pyetjet që do t’i bëhen të vdekurit posa të varroset. Ai pyetet për Zotin e tij, fenë e tij, të Dërguarin e tij. Besimtari i vërtetë thotë: Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe i Dërguari im është Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kurse jobesimtari thotë “ah, ah” nuk e di.

2. Besimi në dënimin dhe shpërblimin e varrit. Besimtarët do të shpërblehen në varret e tyre, do t’u zgjerohet ai aq sa sheh syri si dhe do të kenë mundësi të shohin vendbanimet e tyre në Xhenet.

Kurse jobesimtarët, hipokritët dhe zullumqarët do të dënohen në varret e tyre, u ngushtohet varri dhe u mbushet me zjarr dhe çdonjëri prej tyre do të shohë vendin e tij në Xhehenem. Allahu na ruajt nga gjendja të tillë!

Frytet e besimit në Ditën e Fundit

1. Nxitimi për vepra të mirë, përkushtimi sa më i madh në adhurim si dhe keqardhja për atë që na ka kaluar pa bërë.

2. Frika dhe largimi prej mëkateve.

3. Ngushëllimi i besimtarit për ato mirësi që i kanë ikur në dynja, ku shpreson t`i arrijë në Ahiret.