Pyetja:
Nuk kam fat në jetë, më fajësojnë edhe pse s’kam faj. Më tregoni çfarë duhet të bëj?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Pyetja juaj është e përgjithësuar, prandaj nuk e kemi të qartë a është fjala për fatin për një çështje të caktuar si martesa, apo është fjala për të gjitha gjërat. Sido që të jetë, nuk është e drejtë kjo mënyrë të menduari për vetën, pa marrë parasysh a është fjala për martesë apo në përgjithësi. Të menduarit negativisht për gjërat duke ngjallur pesimizëm në vete dhe duke ngritur paragjykime është i papranueshëm për besimtarin. Muslimani duhet ta kuptojë se të gjitha gjërat janë në dorë të Allahut dhe Ai në caktimin e Tij nuk i bën padrejtësi askujt. Ju këshillojmë të largoni nga vetja këto ide dhe të keni mendim të mirë për Allahun e Lartësuar dhe ta kuptoni se i Gjithëdijshmi për të gjitha gjërat; çfarë është mirë dhe çfarë është keq për ne, është Allahu i Lartësuar. Ai thotë: “Por, mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.”
(Bekare: 216)
Gjithashtu thotë: “… është e mundur që juve diçka të mos u pëlqejë, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (Nisa: 19)
Nëse njeriu i mbështetet Allahut të Gjithëdijshëm, i dorëzohet Atij për çdo vendim dhe çdo punë në jetë, por gjithmonë duke i bërë sebepet dhe duke u angazhuar, atëherë Ai nuk e humb robin e Tij dhe nuk ia zhvlerëson mundin. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni (pikëlloni), se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran: 139)
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi