Pyetja:
Jam studente dhe po vazhdoj studimet dhe kisha dëshirë të falesha, por familja më këshilloi që t’i mbaroj studimet e pastaj do kem kohë mjaft. Por unë kam filluar të falem pa dijen e tyre. Mos është gabim që po veproj në këtë mënyrë? Mos po hyj në gjynah që po falem fshehurazi?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, jo nuk keni kurrfarë gjynahu, përkundrazi, do të shpërbleheni që keni filluar të faleni, por njëkohësisht informojeni familjen tuaj se është e mundshme që njeriu të studiojë dhe të falet. Dhe nëse hasni në pengesa nga familja, atëherë kërkoni nga ata që t’ju garantojnë se do të jeni gjallë derisa të përfundoni studimet, në mënyrë që t’i dëgjoni sugjerimet e tyre. E, nëse jo, atëherë mos i dëgjoni ata, sepse nuk respektohet krijesa nëse kundërshton urdhrat e Krijuesit. Nga pyetja që keni bërë, më bëni me dije gjithashtu se jeni një fillestare dhe se keni bërë mirë që keni vendosur të faleni, por duhet të hulumtoni më tepër rreth fesë islame dhe dispozitave të saj. Ju do të bindeni në një gjë shumë të rëndësishme, e ajo është se ajo që është obliguar për njeriun ne ketë botë është në të mirën e tij dhe ajo që është e ndaluar është në të keqën e tij, prandaj nuk duhet të hamendemi të paktën ne muslimanët.
Allahu e di më së miri.
Fatmir Raçi