Ajo që lejohet është bërja lutje për të. As nuk lejohet leximi i Kuranit që sevapi t’i shkojë të vdekurit, e as nuk lejohet falja e namazit që sevapi t’i shkojë të vdekurit. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve sepse nuk ka argument nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem apo shokët e tij që të falet namaz me nijetin që t’i shkojë shpërblimi të vdekurit, apo të lexohet Kuran për t’i shkuar shpërblimi të vdekurit, qoftë ky i vdekur babai, apo nëna etj. Përderisa nuk e kanë vepruar ata, as për neve nuk lejohet kjo gjë. Pra, është bidat. Sikur të ishte e lejuar atëherë patjetër se do ta kishte vepruar i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, apo shokët e tij dhe pastaj ai salAllahu alejhi ue selem do ua kishte miratuar atë. Feja e Allahut është plotësuar.

Bërja lutje për të vdekurin lejohet. Sa më shumë që bëhet lutje për të gjallët dhe të vdekurit është aq më mirë. I vdekuri është shumë nevojtar për lutjet e të gjallëve, qoftë ai i vdekur prindi, apo burri, apo vëllai etj. Nëse është gjykuar për të që të ketë dënim të varrit, atëherë lutjet tona ia lehtësojnë atë nëse Allahu na pranon ato lutje. E nëse nuk është duke e përjetuar dënimin e varrit, atëherë i shtohen shpërblimet në varr për shkak të lutjeve tona, i zgjerohet dhe i ndriçohet varri.

Prej gjërave të tjera që lejohen ndaj të vdekurit është dhënia sadaka për të që shpërblimi t’i shkojë atij. Kjo ka ardhur në hadith.

Po ashtu lejohet të agjërohen ditët e Ramazanit (agjërimi farz) të cilat i kanë mbetur pa agjëruar sa ka qenë gjallë, mirëpo jo nafilet (agjërimi vullnetar).

Nëse personi është zotuar se do të agjërojë kaq e kaq ditë për hir të Allahut dhe e ka zënë vdekja pa i kryer, atëherë i lejohet të gjallit t’i agjërojë ato, sepse zotimi për kryerjen e një vepre të mirë është obligim për atë që zotohet (ai vetes ia ka bërë obligim këtë). Nëse personi nuk e kryen ka mëkat dhe nëse Allahu nuk e fal, ai ka dënim. Andaj nëse i gjalli e di se ky person është zotuar dhe nuk e ka kryer atë, atëherë i është bërë obligim dhe është mirë t’i agjërojë ato ditë në emër të tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku