Pyetja:
A bën t´ia lëmë emrin në vesh fëmijës musliman kur të lindë dhe emrin t´ia lëmë me domethënie shqip?
***
Përgjigjja:
Përzgjedhja e emrit të mirë për fëmijën është prej obligimeve të para që ka prindi ndaj tij. Emri i individit ka rëndësi të madhe, ngase është adresa e bartësit të emrit. Nëpërmjet emrit mund të nxirren informacionet e para që tregojnë për identitetin fetar dhe kulturor të individit. Emri shërben për të dalluar personin nga të tjerët, veçanërisht kur janë dy persona me të njëjtin mbiemër.
Emri ka rëndësi ngase e shoqëron njeriun gjatë tërë jetës, madje edhe në botën tjetër njerëzit do të ftohen sipas emrave të tyre. Transmetohet se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit ju do të thirreni sipas emrave tuaj dhe të baballarëve tuaj. Prandaj, ngjituni fëmijëve tuaj emra të bukur!” [1]
Parimi bazë sa u përket emrave është lejimi (mubah), por ekzistojnë disa çështje të cilat janë të ndaluara sipas sheriatit dhe duhen shmangur kur përzgjidhen emrat. Emrat me të cilët ndalohet të emërtohen njerëzit kanë këto veçori:
1. Emra të cilët shprehin nënshtrim dhe adhurim të ndonjë gjëje përveç Allahut xh.sh., siç janë: “Abdurresul” (rob i të Dërguarit), “Abdulkabeh” (rob i Qabesë), “Abdulemir” (rob i princit) si dhe emra të ngjashëm me këta që shprehin adhurim të ndonjë gjëje pos Allahut të Lartësuar.
2. Emrat e Allahut të cilët i takojnë dhe i përshtaten ekskluzivisht vetëm Atij, siç janë: ”El-Halik (Krijuesi), Err-Rrazik (Furnizuesi), Err-Rrab (Zoti), Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi), etj.. Po ashtu janë të ndaluar edhe emrat që përshkruajnë cilësitë dhe atributet që i takojnë vetëm Allahut xh.sh., siç janë: ”Malikul Muluki” (Mbret i mbretërve), “El-Kahir” (Mposhtësi), etj..
3. Emrat që përdoren posaçërisht prej jobesimtarëve dhe që shprehin identitetin e tyre fetar, siç është: Mark, Gjon, Anton, etj..
4. Emrat e idhujve dhe zotave të rrejshëm që janë adhuruar nga paganët.
Personat që kanë emra me veçori të lartpërmendura, duhet patjetër t’i ndërrojnë emrat e tyre, ngase ata emra janë të ndaluar.
Ndërsa emrat e bukur me të cilët preferohet të emërtohen njerëzit janë në këto kategori:
1. Emrat të cilët shprehin nënshtrim dhe adhurim ndaj Allahut, siç janë: “Abdullah” (rob i Allahut), “Abdurrahman” (rob i të Gjithëmëshirshmit). Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Emrat më të dashur për Allahun janë Abdullah dhe Abdurrahman.” [2]
2. Të gjithë emrat që shprehin nënshtrim dhe adhurim të Allahut xh.sh., siç janë: Abdurrahim, Abdulaziz, Abdulatif, etj.
3. Emrat e të gjithë Pejgamberëve të Zotit, duke filluar prej më të nderuarit të tyre, Pejgamberit të fundit Muhamedit ﷺ.
4. Emrat e robërve të mirë të Allahut, duke filluar prej sahabëve të të Dërguarit të Zotit ﷺ, dijetarëve, etj..
5. Çdo emër të mirë që ka kuptim të bukur dhe me vlerë, në çfarëdo gjuhe që të jetë, pra, edhe në gjuhën shqipe.
Ndërsa emrat e vjetër ilirë nëse kanë domethënie pagane konsiderohen të ndaluar për shkak se kuptimi i tyre është në kundërshtim me mësimet islame.
Preferohet që emërtimi i fëmijës të bëhet në ditën e shtatë. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Çdo foshnje është peng i akikas së tij (kafshës së therur për të), theret për të (për foshnjën) në ditën e shtatë, i rruhen flokët dhe emërtohet.” [3]
Por emërtimi i fëmijës bën të bëhet edhe në ditën e parë, ngase ka ardhur në hadith të Enesit se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më ka lindur mbrëmë një fëmijë dhe ia kam lënë emrin e babait tim, Ibrahim.” [4]
Nga këto hadithe mësojmë se caktimi i ditës së shtatë për emërtimin e foshnjës nuk është obligim por preferohet, ngase emërtimi i foshnjës mund të bëhet edhe në çfarëdo dite tjetër, madje nuk ka dert nëse përzgjedh ndonjë emër edhe para se të lindë fëmija.
Gjithashtu me rastin e lindjes së fëmijës preferohet të këndohet ezani në veshin e djathtë, e sipas mendimit të disa dijetarëve edhe ikameti në veshin e majtë. Transmeton Ubejdullah bin Ebu Rafi nga babai i tij të ketë thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ që e ka kënduar ezanin në veshin e Hasanit birit të Aliut, atëherë kur e ka lindur Fatimja r.a.” [5]
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Ebu Davudi, nr. 4948. Albani ka thënë: “Hadithi është i dobët”.
[2] Muslimi, nr. (2131) 2.
[3] Ebu Davudi, nr. 2838′ Tirmidhiu nr. 1522, dhe ka thënë: “Ky hadith është hasen sahih”.
[4] Muslimi, nr. (2315) 62.
[5] Tirmidhiu, nr. 1514, dhe ka thënë: “Ky hadith është hasen sahih”.