Pyetja: Cila është urtësia që Kurani Fisnik është i ruajtur nga ndryshimi dhe devijimi ndërsa librat e tjera si Tevrati dhe Inxhili nuk janë ruajtur kështu? Dhe a do të thotë besimi në Librat, besimi në gjendjen e tanishme të tyre sidomos pasi që disa nga ato janë prekur nga devijimi?

Përgjigja: Për Kuranin Fisnik Allahu i lartësuar është përkujdesur për ruajtjen e tij ngase është libri që do të mbetet gjerë në ditën e Kiametit si dhe i ka anuluar librat para tij ndërsa ai vetë nuk anulohet. Ndërsa librat e tjera iu janë lënë në ruajtje të devotshmëve dhe parisë së tyre fetare në shenjë sprove dhe provimi për ta. Si dhe – Allahu e dinë më së miri  për shkak se janë të përkohshme dhe ka mundësi të anulohen nga ligjet e mëvonshme. Gjithashtu ato janë të veçanta për kohën e tyre e Kurani është universal për të gjitha krijesat që logjikojnë  njerëzit dhe xhinët gjer në ditën e Kiametit.

Besimi në librat e hyjnore është prej shtyllave të besimit. Besimi në librat e mëparshme është besim i përgjithshëm ndërsa besimi në Kuranin është besim i posaçëm dhe në formë të detajuar duhet të besohet në çdo gjë që është në të. E ai që e mohon një shkronjë apo një ajet apo më pak e më shumë ai konsiderohet renegat nga feja Islami. Gjithashtu ai ë e mohon një dispozitë prej dispozitave të tij sikurse prerja e dorës për hajnin apo zbatimi i Kisasit për kriminelin apo e mohon vlefshmërinë për gjykim mes njerëzve në këtë apo çfarëdo kohe ai është kafir.

Ndërsa besimi në librat e mëparshme është besim i përgjithshëm i cili përfshinë bazat e tyre dhe atë që është prej të vërtetës në to e jo ato që janë ndryshuar apo devijuar. Allahu ka urdhëruar të besojmë në to edhe pse e ka përmendur se pjesëtarët e tyre i kanë devijuar dhe ndryshuar. Kështu që obligohemi me besimin në bazat e tyre dhe se ato janë prej Allahut ndërsa atë që është në to e devijuar dhe ndryshuar ua refuzojmë pjesëtarëve të tyre. Allahu i lartësuar thotë:

“Është shkatërrim për ata që me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej All-llahut”! E për të arritur me të një fitim të paktë, pra është shkatërrim i madh për ta çka shkruan duart e tyre dhe është shkatërrim i madh për ta ajo çka fitojnë.” (El Bekare:79) dhe thotë:

“Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po ajo nuk është nga All-llahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për All-llahun.” (Ali Imran: 78)

Shejhu Feuzani