Pyetja:

Nëse një grua ndodhet mysafire, p.sh. tek halla e saj, dhe në kohën e namazit të akshamit i vjen pastrimi (dmth. kur shkon atje i përfundon cikli) dhe atje nuk ka mundësi të bëjë gusël, si duhet të veprojë me namazin që hyn në ato momente?
Po ashtu, p.sh. në muajin e Ramazanit, kur je e ftuar në iftar dhe i vjen momenti i pastrimit nga hajzi, si e kryen namazin e akshamit?

Përgjigjja:

Në momentin që gruaja vërteton përfundimin e ciklit të saj, duhet të përshpejtojë të përgatitet për namazin e kohës në të cilën është. Sipas mundësisë duhet të pastrohet me ujë gusl i hajzit, qoftë edhe gusl me përdorim të ujit minimalisht dhe sa herë që ka mundësi nuk duhet neglizhuar e as vonuar.

Kjo është një gjendje normale njerëzore, e cila nuk do të duhej të përbënte problem aspak dhe duhet të ketë mirëkuptim, sidomos tek të afërmit e ngushtë si halla e tezja. Por, në rast të mosmirëkuptimit për shkak të raporteve e rrethanave specifike, lejohet që të marrë tejemmum dhe ta falë namazin e kohës me tejemmum, e pastaj kur të kthehet në shtëpi të pastrohet dhe të falë jacinë me gusël.

Sheriati në përgjithësi nuk i ngarkon besimtarët me komplikime e barra të rënda, prandaj i mbetet besimtarit të gjykojë për situatën në të cilën gjendet, nëse mundet apo është stërkomplikim për të. Kjo varet shumë nga personat, gjendja, rrethanat, dhe situata specifike e çdo kujt veç e veç.

Nëse as tejemmumi nuk është i mundur për shkak të rrethanave specifike në të cilat mund të gjendet, atëherë i bashkon namazin e akshamit dhe të jacisë bashkim të vonuar në kohën e jacisë, pasi të pastrohet në shtëpinë e saj.

Allahu e din më së miri.

/ Hoxhë Dr. Afrim Bulliqi /