Pyetja:

A mundeni një sqarim më të gjatë dhe më bindës mbi çështjen e vetëvrasjes?
Jo pse dua ta bëj aq të madhe këtë çështje, por se më mundon me vite të tëra një gjë e tillë.

***

Përgjigjja:

Pa dyshim se ata janë vrasës të vetvetes dhe ata do të përgjigjen për atë pse e kanë bërë (me përjashtim të atyre që nuk e kanë ditur se vetëvrasja është e ndaluar) ngase Allahu e ka bërë haram vetëvrasjen në Kuran:
“… Dhe mos e mbytni veten tuaj, ngase Allahu për ju është i mëshirshëm.”
(Nisa: 29)

Dhe, pa dyshim se shejtani me intrigat e tij duke i zhytur njerëzit në mëkate i çon deri në atë shkallë që të bëjnë vetëvrasje. Për këtë Allahu na ka këshilluar që mos t’i pasojmë hapat e shejtanit, ngase ai nuk e len njeriun duke e ngacmuar deri sa ai të bën kufër apo shirk dhe të vdes në atë gjendje e të hyjë në Xhehenem përgjithmonë.
Por, a është caktim i Allahut nëse dikush bën vetëvrasje? Ne themi se pasi që të ndodhë ajo ka qenë caktim por Allahu nuk është i kënaqur me këtë vepër ngase Ai e ka bërë haram vetëvrasjen, por me fjalën caktim nuk nënkuptohet imponimi por dituria e Allahut për krijesat e Tij se çka do t’u ndodhë atyre dhe ka qenë e lehtë për Të që ta shkruaj atë. Duhet ta kemi parasysh se askush nuk e din se çka do t’i ndodhë në të ardhmen dhe ne jemi të obliguar që t’u largohemi harameve e jo të bëjmë mëkate pastaj të themi se m’a ka caktuar Allahu këtë dhe ta konsiderosh arsyetim para Allahut.
Allahu ka dërguar pejgamberë dhe ju ka zbritur atyre libra për të na tërhequr vërejtjen që mos të themi në Ditën e Gjykimit se ne nuk e kemi ditur, por ne duhet të jetojmë brenda kufijve të Allahut, të largohemi nga ndalesat e Tij dhe t’i veprojmë urdhërat e Tij, ngase nuk është arsytim tek Allahu që pasi të bësh mëkat të thuash se ka qenë caktim i Allahut. Këtë e bëjnë Fasikët (njerëzit e këqij dhe të degjeneruar).

Kurse, dënimi i tyre është siç ka ardhur në disa hadithe:
Transmetohet nga Ebu Hurejra, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: ”Kush kërcen nga një kodër dhe e mbyt veten e tij ai do të hyj në zjarr të Xhehenemit ku do të qëndrojë përgjithmonë; dhe kush pin helm dhe e mbyt veten e tij, ai helm do t’i vëhet në dorën e tij dhe ai do të pijë (prej tij) në zjarr të Xhehennemit ku do të qëndrojë përgjithmonë; dhe kush e mbyt veten e tij me hekur (thikë) ai hekur do t’i vëhet në dorën e tij, do ta godet me të barkun e tij në zjarr të Xhehennemit ku do të qëndrojë përgjithmonë.” [1]

Transmetohet nga Harith bin Dehak (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: ”Kush betohet në ndonjë fe veç Islamit ai është ashtu siç ka thënë; nuk betohet biri i Ademit në atë që nuk e posedon; dhe kush e vret veten e tij me diçka në këtë botë do të dënohet me të në Ditën e Gjykimit; dhe kush e mallkon një besimtar është sikur e ka vrarë atë, dhe kush e gjuan besimtarin me kufër (kush i thotë besimtarit qafir) sikur e ka vrarë atë.” [2]
Mirëpo, mendimi i ehli sunetit  për ata që bëjnë vetëvrasje është se ata me këtë vepër nuk dalin nga Islami  (nuk bëhen pabesimtarë) por do të qëndrojnë në zjarr pastaj do të dalin prej tij (nëse ata kanë vdekur pa bërë ndonjë vepër që është kufër apo shirk). Dhe, sa i përket shprehjes “aty do të qëndrojnë përgjithmonë”, në gjuhën arabe ‘haliden muhaleden fiha’ do të thotë se aty do të qëndrojnë shumë gjatë. (Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve).

Bedri Robaj

————————

[1] Buhariu

[2] Buhariu