Pyetja:
Kur fle natën, gjithmonë shoh ëndrra të frikshme, mrekulli e gjëra të mbinatyrshme që ndodhin, të cilat gjithherë më shqetësojnë dhe më frikësojnë. Prandaj, çfarë më këshilloni mua të bëj, apo çfarë të them para se të fle, në mënyrë që këto ëndrra shqetësuese të më largohen?
Para se të flesh, lexo Ajetul Kursin, e cila është:
“Allahu! Nuk ka të adhuruar (me meritë) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as kotja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë kujdesjen ndaj tyre. Ai është i Larti, Madhështori!” (Bekare: 255)
I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë:
“Kush e lexon atë (Ajetul-Kursin) natën, do të jetë në mbrojtjen e Allahut dhe shejtani nuk mund t’i afrohet deri kur të zgjohet.”
Gjithashtu, lexo tre suret e fundit të Kuranit, suren el-Ihlas (112), suren el-Felek (113) dhe suren en-Nas (114).
Shërimi për këto ëndrra frikësuese e të neveritshme që ti i sheh, është në atë çfarë Profeti ﷺ na ka udhëzuar që ta bëjmë: “të kërkosh mbrojtje te Allahu nga e keqja e shejtanit dhe nga e keqja e asaj që ti e ke parë, e të mos flasësh me askënd rreth asaj ëndrre; kështu kjo ëndërr nuk të dëmton.”
Gjithashtu, nëse zgjohesh gjatë gjumit si shkak i këtyre ëndrrave, pështy në anën e majtë tri herë dhe kërko mbrojtje tek Allahu nga e keqja e shejtanit dhe nga e keqja e asaj që ke parë, e pastaj kthehu në anën tjetër. Nëse ke qenë duke fjetur në anën e djathtë, kthehu në anën e majtë dhe anasjelltas.
Gjithashtu, nga shkaqet e largimit të ëndrrave të këqija, është që pas zgjimit ta përmendësh Allahun, të marrësh abdes e të falesh aq sa mundesh. Pra, këto janë ato që i largojnë ëndrrat e tilla.
Shejh Uthejmini, “Kushtet e fesë”