Pyetja:
Jam shumë e tensionuar dhe në depresion, saqë ndonjëherë dua të vdes dhe të shpëtoj nga ky ferr. Kam dashur një djalë dhe marrëdhëniet tona u thelluan derisa humba nderin tim. Më vonë u fejuam dhe pas disa kohësh u ndamë, duke i dhënë fund kësaj historie. Unë vendosa të vazhdoj jetën e vetme. Më vonë u njoha me një djalë tjetër, të cilin besoja fuqishëm se e doja. Para se të flinim bashkë, i tregova se e kam humbur nderin më parë. Ai ishte i divorcuar dhe kishte një vajzë, ishte i pasur dhe banonte në një zonë pasanikësh. Pasi dëgjoi historinë time, vendosi të martohej me mua dhe kështu u fejuam shpejt e shpejt dhe më pas vumë kurorë, por pa bërë dasmë. Ndejtëm kështu për një vit të cilin e kaluam si dy të martuar. Gjatë kësaj kohe fillova të vë re sjellje të dhunshme në komunikim, ide patologjike si vrasja dhe hakmarrja, si dhe mora vesh se ai kishte gjashtë vite që nuk pyeste fare për të bijën. Pas një viti u martuam dhe banonim me familjen e tij në një shtëpi. Pas martese kuptova që ai kishte qenë dy herë i martuar dhe kishte dhe një djalë, të cilin se kishte parë asnjëherë në jetë. Problemet në shtëpi ishin të shumta. Sa herë që ndodhte një problem, më shante me fjalët më banale, më poshtëronte dhe më thoshte se e kisha humbur nderin në mënyrën më të ndytë.
Gjatë kësaj kohe, në jetën time shfaqet një djalë që ishte mik për kokë i tim vëllai. Ai është biznesmen dhe më ka dashur shumë kohë më parë, por asokohe s’mund të martoheshim pasi ai ishte i martuar. Ai është shumë i pasur dhe zemërmirë. Filluam të afroheshim dhe mes nesh ndodhën gjëra kundrejt vullnetit tonë. Që atë ditë, më tha se duhet të divorcohesha nga im shoq dhe të martohesha me të. Ai më trajton si princeshë. Unë e kam lënë shtëpinë e tim shoqi për shkak të një zënke, ku më rrahu dhe më dëboi nga shtëpia.
Shoku i tim vëllai na viziton shpesh në shtëpi dhe është gati të bëjë gjithçka që të martohet me mua. Për këtë, ai ka folur dhe me nënën time.
Unë nuk u kam treguar familjarëve të mi mbi problemet me tim shoq, pasi ata kanë qenë kundër martesës time me të që në fillim. Pas martese, ai as që pyet për familjen time, madje i urren dhe flet keq për ta, pasi familja ime i përket një shtrese më të lartë se familja e tij. Përkundrazi, shoku i tim vëllai e do shumë familjen time dhe anasjelltas. Edhe pse është më i pasur se ne, ai kurrë nuk lë të kuptohet se është i një sëre më të lartë, na viziton shpesh dhe bisedon sikur të ishte njëri prej nesh.Nuk di çfarë të bëj, të divorcohem nga im shoq apo jo? Nëse vendos të divorcohem, kam frikë të përballem me babanë, nënën dhe vëllain, të cilët kanë qenë kundër kësaj martese. Së dyti, i frikësohem fjalëve të njerëzve. Së treti, më bren ndërgjegjja se po e tradhtoj dhe do e lë vetëm. Unë e di se jam frikacake, kam frikë të humbas tim shoq, të martohem me një tjetër, aq më tepër që nuk jam e sigurt nëse e dua apo jo, edhe pse më merr malli për të. Nuk di çfarë të bëj, ju lutem më ndihmoni!
***
Përgjigjja:
Dëshiron të vdesësh?! E përse?! Sepse mendon që të divorcohesh dhe nuk di si të marrësh vendimin e duhur? Apo sepse ndërgjegjja jote, të cilën e ke zhytur në një tunel të thellë, të bren dhe të thotë se po tradhton tët shoq? Apo sepse ti nuk e do shokun e vëllait tënd, me gjithë tiparet dhe cilësitë e tij të mira? Ke frikë nga prindërit dhe vëllai se do të kritikojnë që po heq dorë nga një martesë për të cilën ata nuk kanë qenë dakord? Në rreshtat e tua nuk thua qoftë dhe një fjalë nëse i je frikësuar ndonjëherë Zotit nga gjithçka ke bërë. Si nuk mendon se Ai të sheh dhe të ndjek? Si është e mundur që ti si myslimane e shkel besën me Zotin, pa u ndjerë fajtore?Ty të lipset të dëgjosh një mendim i cili të ndihmon të marrësh vendimin që ka të bëjë me bashkëshortin tënd më të fundit, atë aktual. Për këtë, të duhet një riradhitje e prioriteteve të tua. Ti duhet të ndërgjegjësohesh për realitetin e vetes tënde dhe të jetës. Në jetën tënde, Zoti duhet të hyjë si një rregullator i jetës, me qëllim që të nisësh një rrugëtim të ri dhe të duhur.
Në rastin tënd, nuk po orvatem t’ju mirëkuptoj dhe të përdor një gjuhë të butë, sepse ti as që e ndjen se ke kryer marrëdhënie jashtëmartesore, se dëshiron të ndreqësh atë që e ke shqyer në lidhjet e tua me Zotin, me veten dhe me tët shoq. Ti se kupton kush je dhe çfarë do, si ta kontrollojë njeriun veten dhe emocionet. Po tregohem e ashpër, pasi ke nevojë për një zgjim të shpejtë për t’u lidhur me Zotin e lartësuar dhe të mësosh më shumë për jetën, për dispozitat dhe kodin penal. Ti duhet të mësosh si ta respektosh veten, e për rrjedhojë të të respektojnë dhe të tjerët. Ti thua se nuk di si ti thuash “jo” tjetrit, se ke frikë se mos humbet ndonjë, gjë e cila mendoj se është thelbi i problemit, i cili të ka shtyrë të bësh lëshime njëri pas tjetrit.
Ktheju vetes tënde të cilën e ke poshtëruar gjatë këtyre viteve, e ke lënë pas dore dhe nuk je kujdesur fare për të. Bëj çmos që ta edukosh dhe zhvillosh karakterin tënd. Ti ke rendur pas çdo zëri të epshit dhe pasionit tënd, pa ditur ti thuash “jo” ndonjëherë. Nga dashuria, nuk ke mësuar gjë tjetër përveç seksit, i cili është një nga format e dashurisë, por jo gjithë dashuria. Ti duhet të thellohesh më shumë në njohjen e vetes tënde, të lexosh dhe kuptosh diçka më shumë rreth Zotit. Ti duhet të kesh një objektiv në jetë. Hiq dorë nga euforia dhe bërja e gjërave shkel e shko. Filloje udhën tënde të jetës, sado vonë të jesh. Zoti të ndihmoftë!