Pyetja:

E dua një vajzë me qëllim të pastër. Si t’i lutem Allahut të Lartësuar për këtë punë?

***

Përgjigjja:

Allahut të Lartësuar duhet lutur jo vetëm për këtë punë, por për të gjitha punët e kësaj bote. Lutuni dhe drejtojuni Allahut të Lartësuar me metoda të ndryshme të lejuara në Islam. Në rastin konkret, për këtë rast preferohet të falet namaz istihare. [1]

Xhabir bin Abdullahu transmeton se Pejgamberi ﷺ ua mësonte duanë e istihares për çdo çështje, sikurse ua mësonte suret e Kur’anit dhe thoshte: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë: “O Zot, me diturinë Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e unë jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton këtu dëshirën, hallin, etj.) është mirësi për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëje të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko! E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen, të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hairin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të!”[2]

Thuaj: O Zot! Ti e di më mirë, edhe pse unë po ngul këmbë, sepse unë nuk e di se çka është më mirë për mua e çka jo. Pastaj duhet të kërkosh kohët në të cilat pranohet më shumë lutja, si p.sh. ndërmjet ezanit dhe ikametit, pastaj të falësh namaz në pjesën e tretë të natës, kur të tjerët janë në gjumë, atëherë ti drejtoju Allahut xh.sh. me lutje të sinqertë. Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Zoti ynë i Lartmadhërishëm zbret çdo natë në qiellin e kësaj bote, në pjesën e tretë dhe të fundit të natës, dhe thotë: “Kush më lutet Mua që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që t’ia fal atij?” [3]

Prandaj ata që kanë bërë mëkate dhe dëshirojnë të pendohen, ata që kanë nevoja, ata që kanë probleme, e të gjithë ne kemi nevoja, atëherë le të zgjohen në pjesën e tretë të natës dhe ta lusin Allahun xh.sh., shumë dhe shpesh, me vendosmëri dhe seriozitet. Nuk mund të thuash se njëherë i jam lutur dhe nuk ka asgjë nga kjo punë, por lute Allahun e Lartësuar pandërprerë. Lute Allahun e Lartësuar derisa të të realizohet dëshira apo derisa Allahu i Lartësuar të ta kompensojë me ndonjë gjë tjetër. Lute në namaz, kur je në sexhde, madje edhe në gjuhën shqipe, por kur je në namaz vullnetar (nafile) e jo në namaz të obliguar (farz).

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Fjala istihare do të thotë të kërkosh, të lypësh hairin. Nga ky kontekst është quajtur edhe namazi i istihares, me ç’rast fal dy rekate namaz nafile dhe në fund të tyre bën duanë e lartpërmendur dhe cek hallin, nevojën apo kërkesën që ke.

[2] Buhariu, nr. 1162.

[3]  Buhariu, nr. 1145; Muslimi, nr. (758) 168.