Pyetja:
Jetoj në perëndim prej një kohë të gjatë. Qe një muaj kam filluar të punoj në shtëpi të pleqve dhe në punën time nuk po më lejojnë të fali namaz ose ta vë shaminë. Nuk di se çfarë të bëj? Unë duhet të punoj pasi kam dy fëmijë të vegjël e burri nuk punon. Unë jam ajo që duhet ta mbaj familjen. Çfarë duhet të bëj tani?
***
Përgjigja:
Motër myslimane, ju duhet ta dini se Allahu nuk e ka ngarkuar femrën në asnjë mënyrë që të sigurojë kushtet jetësore as për familjen e saj e madje as për vete, përveç në raste të jashtëzakonshme. Femra mund të jetë bijë, motër, bashkëshorte, nënë e dikujt prej meshkujve, që obligohen për kujdesin social ndaj familjarëve të tyre duke vu në theks të veçantë gjininë femërore dhe fëmijët.
Nuk i kam të njohura arsyet përse burri i juaj nuk punon, por megjithatë kjo nuk justifikon punësimin tuaj në një vend që ndeshet me dy urdhra shumë të rëndësishëm islamë; namazin dhe mbulesën e femrës. Puna e juaj shumë e rëndësishme do të ishte të kujdesesh në edukimin e atyre dy dritave, dy fëmijëve tuaj, që kanë shumë nevojë për edukatën e nënës e jo për paranë e saj, e sidomos këtyre kohëve, që edukata familjare ndaj fëmijëve është tejet jo-prezente dhe ata janë shumë në rrezik si gjeneratë e nesërme, si rezultat i mungesës së edukatës familjare, dhe kjo ngjan si në vet trojet shqiptare e mos të flasim më për në mërgatë.
Vendi ku ju jetoni (edhe pse i panjohur për mua) ndoshta ju pengon për mbulesë, por e ka tjetrën që për ju siguron asistencën sociale, në rast se burri i juaj është i paaftë për punë.
Andaj duke u nisur nga rregulli islam se femra nuk obligohet për sigurimin e kafshatës së gojës, si dhe duke u bazuar në mos-mundësinë e përfilljes së dy urdhrave kur’anor shumë të rëndësishëm në bazë të të cilëve varet edhe dynjaja e juaj e edhe ahireti i juaj, mendoj se ju duhet ta ndërprisni menjëherë punën aty dhe të përqendroheni në kryerjen e detyrave tua e jo të burrit pasi secili ka për të dhënë llogari për detyrat e veta e jo të tjetrit.
Allahu e di më së miri
Hoxhë Muhamed Dërmaku