Pyetja:
A i lejohet puna si infermiere motrës muslimane me mbulesë në Gjermani? A i lejohet

shoqërimi me femra katolike?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Pikë së pari, përzierja mes meshkujve dhe femrave, në çfarëdo vendi qoftë, është prej gjërave të ndaluara në fenë Islame, për shkak të pasojave të mëdha që bartë mbi vete, në këtë botë dhe në botën tjetër.  Pastaj, puna në vendet jomuslimane ngërthen në vete edhe gjëra të tjera si shërbimi i pacientëve jomuslimanë ushqime që përmbajnë mish derri apo pije të cilat përmbajnë alkool e gjëra të tilla.

Pastaj, ndodh që infermieres t’i kërkohet që t’i pastrojë të sëmurit apo t’ua ndërrojë rrobat, pa marrë parasysh gjininë, e gjëra të tjera të kësaj natyre. Andaj, varësisht sa janë të pranishme këto gjëra të ndaluara, ashtu duhet të merret edhe vendimi se a bën të punohet në një vend të tillë apo jo. Nëse personi ka mundësi të ruhet nga këto që i përmendëm, atëherë i lejohet të punojë në vende të këtilla, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për t’iu shmangur gjërave që i cekëm më lart, përveç nëse detyrohet, dhe duke iu përmbajtur disa kushteve të cilat do t’i cekim më poshtë.

Në parim, trajtimi i pacientëve meshkuj duhet të bëhet vetëm nga meshkujt, sikur që trajtimi i pacienteve femra duhet të bëhet vetëm nga femrat. E, nëse një gjë e tillë nuk mundësohet, atëherë kërkohet që femra t’u përmbahet kushteve në vijim (e njëjta vlen edhe për meshkujt në raport me femrat):

Të ketë kujdes që të mos lëshoj shikimin e saj tek pacienti mashkull më shumë sesa ka nevojë për trajtimin e problemit që ka pacienti, duke përkujtuar Allahun dhe duke qenë e vetëdijshme se Ai sheh çdo gjë. E, nëse detyrohet, shikon vetëm aq sa i duhet për trajtimin e problemit.

Të mos prek ndonjë pjesë të trupit të të sëmurit përveçse duke përdorur ndonjë pengesë, në këtë rast dorezat, dhe këtë ta veprojë gjithmonë. Përveç kësaj, të mos prek më shumë sesa e ka të nevojshme.

Të mos zgjat muhabet me pacientët e gjinisë së kundërt, përveç aq sa kërkohet për trajtimin e tij mjekësor.

Të mos zbukurohet gjatë orarit të punës. Nëse është me mbulesë, atëherë ta vendos mbulesën sa më mirë dhe të mos vendos makiazh, e, po ashtu, meqenëse i duhet të veshë rroba të infermiereve, atëherë të zgjedh madhësinë dhe gjerësinë që i shkon për shtati një muslimaneje, e jo rroba të ngushta që qesin në pah bukuritë e gruas.

Të mos vetmohet me pacientin e gjinisë së kundërt në një dhomë ku nuk kanë qasje të tjerët, si p.sh. dhoma e kontrollit, dhoma e fotografimeve, etj., përveç nëse jeni në prezencën e ndonjë një femre/gruaje tjetër që ju shoqëron dhe që i besoni, nga koleget tuaja të punës.

Të mos punojë në ndërrimin e natës nëse i bie të vetmohet me persona të gjinisë së kundërt, ngase kjo ka rrezikshmëri të lartë, përveç nëse i bie të punojë me persona të gjinisë së njëjtë, apo në mesin e atyre është një person i besueshëm femër me të cilën do të shoqërohet gjatë ndërrimit të natës. Por, më e mira do të ishte të shmangte ndërrimin e natës nëse është një mundësi e tillë.

Nëse është e martuar, të marrë lejen e burrit të saj para se të marrë vendimin për të punuar në një punë të këtillë dhe të ketë mirëkuptim me të para se të fillojë, e nëse nuk është e martuar, atëherë ta bëjë këtë me lejen e prindërve të saj.

Një gjë pozitive e cila duhet të merret parasysh është që, shpeshherë, shumica e infermiereve në spitalet e vendeve jomuslimane janë të gjinisë femërore, gjë që e bën më të lehtë marrjen e vendimit. Pra, nëse edhe vendi në të cilin do të punoni, shumicën e infermiereve i ka femra, atëherë me gjasë edhe puna për një muslimane do të jetë më e lehtë.

Po ashtu, ia vlen të ceket se prej rregullave të përgjithshme të bashkëveprimit me popujt
jobesimtarë është kujdesi që personi të mos ndikohet nga sjelljet dhe bindjet e tyre, duke u kujdesur gjithmonë për moralin që muslimanit ia ofron feja e tij. Nëse ka dikë musliman që të shoqërohet me të, atëherë le ta bëjë, e nëse të gjithë koleget janë katolike apo të ndonjë feje tjetër, atëherë të sillet mirë me to, të ruhet nga ndikimi që mund të kenë në fenë e saj, si dhe të ketë parasysh që muslimani duhet të jetë model të cilit të tjerët ia kanë lakmi, e kështu, ndoshta mund të bëhet shkaktar që dikush ta përqafojë fenë Islame për shkak të tij/saj.

Allahu e di më së miri!
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Hekuran Helshani

Comments are closed.