Megjithëse kam arritur shumë grada në shkollim, ende nuk po mund ta gjej veten. Si t’ia bëj?
***
Përgjigjja:
Unë nga ti kërkoj ta lësh hidhërimin dhe mllefosjen dhe çështjen tënde ta analizosh ngadalë dhe me maturi, dhe të mos e derdhësh gjithë mllefin tënd mbi caktimin e Allahut: kadanë dhe kaderin, mbi tokën dhe qiellin, mbi krijesat dhe Krijuesin.
I dashur vëlla, ti duhet t’i kesh parasysh disa të vërteta qenësore:
1. Kujtoi mirësitë ekzistuese. Fillimisht, më duhet ta theksoj se besimtari i mençur nuk duhet t’i shohë vetëm ato që i mungojnë dhe që i ka noksan, por ai, së pari, duhet t’i shohë mirësitë e Allahut të cilat i posedon. Po veproi kështu, ai do të vërejë se ka shumë të mira. Për fat të keq, njeriu këto nuk i vëren, ose ndoshta i vëren, por s’i zë për gjë, s’i vlerëson si duhet, i sheh të vogla.
Allahu e mëshiroftë Urve ibn Zubjerin, të cilin, për një ditë, e goditën dy fatkeqësi. Kali e goditi për vdekje një djalë të tij, pra i vdiq djali. Vetë Urve-s mjeku ia preu këmbën, me qëllim që sëmundja të mos shpërndahet në pjesët e tjera të trupit. Mirëpo, ai, përskaj gjithë kësaj, përsëri e falenderoi Allahun e Madhërishëm. Ai e shikoi njërin djalë të mbytur, pastaj e shikoi tjetrin që e kishte të gjallë dhe tha: “O Allah, nëse njërin djalë ma ke marrë, tjetrin ma ke dhënë.” Pastaj e shikoi këmbën e prerë dhe këmbën tjetër të shëndoshë e tha: “O Allah, nëse njërën ma ke marrë, tjetrën ma ke mbrojtur nga sëmundjet”. Pra, ai i shikonte mirësitë të cilat i kishin mbetur, ashtu që të ishte mirënjohës dhe i kënaqur. E, sikur t’i shikonte vetëm mirësitë nga të cilat ishte privuar, pa dyshim që do të dëshpërohej e mllefosej.
Njashtu edhe ti, sikur ta shihje vetën, do të vëresh se ke shumë mirësi që ti o s’do t’i pranosh, o je gafil ndaj tyre.
A. Allahu të ka falur trup të shëndoshë, ashtu që nuk je lindur me të meta, me hendikep apo i deformuar.
B. Allahu të ka falur logjikë dhe mendjemprehtësi, siç shihet nga vetë fjalët e tua dhe nga sukseset që ke arritur në studime. Përndryshe, ka pasur mundësi të jesh prej të marrëve.
C. Allahu të ka falur vullnet të fuqishëm, siç thua ti në letër, ashtu që e ke detyruar veten me program për të arritur dituri dhe ke arritur ta zbatosh atë program, me gjithë kushtet e rënda që i ke pasur.
Ç. Allahu i Madhërishëm ta ka mundësuar të mësosh pesë gjuhë të huaja, gjë që mund ta bëjnë vetëm pak njerëz, apo shumë pak.
D. Mbi të gjitha, Allahu i Madhërishëm të ka udhëzuar në Islam, e kjo është mirësia më e madhe dhe më e dobishme në këtë botë dhe në botën tjetër.
Vëlla i nderuar, a nuk janë këto mirësi që t’i ka falur Allahu i Madhërishëm, mirësi këto të mëdha që i dëshiron shumëkush, bile disa prej tyre, por ja që nuk i ka?! Apo ti i konsideron këto mirësi zero, ngase ato nuk të kanë sjellur para dhe jetë luksoze?
Nuk ka dyshim se pasuria është një mirësi, e varfëria është një sprovë prej të cilës duhet kërkuar mbrojtje nga Allahu. Mirëpo, për atë që mendon, pasuria është prej mirësive më të vogla. Çfarë vlere ka pasuria, nëse je i sëmurë? Apo, çfarë vlere ka pasuria nëse je injorant? Apo çfarë vlere ka pasuria krahas mosbesimit dhe mëkateve? Allahu i Madhërishëm, për disa nga politeistët, ka thënë: ’’A mos mendojnë ata se me atë që jemi duke u dhënë atyre nga pasuria dhe fëmijët,nxitojmë t’u ofrojmë atyre të mirat? Jo, kurrsesi, por ata nuk janë kah e kuptojnë (Muminun: 55-56)’’.
2. Ndoshta e urreni një gjë, por ajo është më e mirë për ju. E vërteta e dytë është se njeriu, marrë parasysh se është qenie e dobët, nuk e di se ku është e mira dhe ku është e keqja e tij. Ai gjykon në bazë të të dukshmës, nuk e di të fshehtën; e shikon të tashmen, nuk e di të ardhmen; u nënshtrohet ndjenjave dhe nuk e përdor mendjen si duhet. Për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare: 216).
Vëlla i dashur, ku e di ti, ndoshta Allahun dëshiron të të kalitë në sprova dhe të të edukojë përmes këtyre sfidave, ashtu siç i edukoi të dërguarit e Tij të mëdhenj, të cilët u sprovuan, por duruan dhe u përqëndruan derisa e kumtuan shpalljen, e përfunduan misionin, ashtu që Allahu i Madhërishëm përmes tyre disa i udhëzoi, e atyre që nuk besuan dhe u shmangën nga feja, ua solli argumentet.
A e dinte Jusufi se sprovat, me të cilat u ballafaqua gjatë gjithë jetës, do ta shpiejnë të bëhet i pari i Egjiptit, dhe në dorën e tij të jenë depot e tokës: financat, bujqësia, planifikimi dhe ushqimi? Poashtu, a e dinte se, pas këtyre sprovave, Allahu i Madhërishëm do ta bëjë që ai ta zgjedhë problemin e thatësisë, si dhe përmes tij ta nxjerrë Egjiptin dhe vendet tjera përreth prej krizës së urisë dhe thatësisë?
Ne duhet t’i përballojmë vështirësitë dhe dhimbjet me durim, e nuk duhet të mendojmë se sprova e cila na ka goditur, është ndëshkim për ne nga ana e Allahut, por në të kundërtën, shumë herë, sprova është dhuratë prej Allahut për ne, edhe pse ne nuk e kuptojmë. Sikur të mos ishte kështu, pejgamberët nuk do të ishin njerëzit më të sprovuar në këtë botë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Njerëzit që më së tepërmi sprovohen janë pejgamberët, pastaj pasojnë më të mirët, e pastaj më të mirët pas tyre dhe kështu me radhë. Njeriu sprovohet në bazë të besimit, nëse e ka besimin e fortë, i forcohet edhe sprova, e nëse besimin e ka të dobët, sprovohet aq sa e ka besimin. Sprovat vazhdojnë ta godasin njeriun, derisa ec mbi tokë pa asnjë mëkat”. Bile, besimtari i vërtetë, e përdor sprovën pozitivisht, duke e trajtuar si begati që meriton falënderim, e jo fatkeqësi për të cilën duhet durim. Në këtë kontekst, është transmetuar prej Umer ibn Hatabit se ka thënë: ”Nuk ka ndodhur të më godasë ndonjë sprovë, përpos se në të kam gjetur katër mirësi të Allahut për mua: Nuk ka qenë sprovë në fe, nuk ka qenë edhe më e madhe se sa ka qenë, nuk jam privuar që të pajtohem me të, dhe unë shpresoj që Allahu të më shpërblejë për të.”
3. Kjo është ajo që keni merituar ju. E vërteta e tretë në këtë drejtim është që ta dimë se nuk duhet t’ia mveshim dështimin tonë në jetë vetëm çështjes së caktimit të Allahut, e veten tonë ta pastrojmë dhe ta shfajësojmë nga çdo paaftësi dhe dobësi. Kjo mënyrë e të menduarit do ta bëjë njeriun parazit dhe do ta ndalojë nga çdo tentim për përmirësimin e vetes dhe zgjidhjen e problemeve, por do të thotë: ”Kështu ka thënë Allahu për mua, apo kundër meje”, dhe nuk do të lëvizë asnjë hap përpara.
Besimtari, i cili i ka kuptuar dispozitat e Allahut të Madhërishëm dhe ligjet e Tij për krijesat, i beson caktimit, por nuk e merr atë për mbulesë. Ai e fajëson vetveten, në vend që të hidhërohet me kohën. Allahu i Madhërishëm u ka thënë besimtarëve, shokëve të të Dërguarit të Tij, pas betejës së Uhudit: ’’E kur juve ju goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedër), thatë:”Prej nga kjo?” Thuaj: ”Ajo është nga vetë ju!”…’’.(Ali Imran: 165).
Ebu Davudi ka transmetuar në Sunenin e tij prej Auf ibn Malikut se i Dërguari i Allahut ﷺ ka gjykuar ndërmjet dy personave. Personi, kundër të cilit u gjykua, kur e ktheu dhe u nis të largohet tha: ”Më mjafton Allahu, sa Mbrojtës i mirë është Ai!” Në këto fjalë të tij, i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu: ”Allahu na qorton për paaftësi, e ti duhet të jesh i gjindshëm dhe i mprehtë. Kur të të ndodhë diçka që nuk mund ta evitosh, thuaj: ”Më mjafton Allahu, sa Mbrojtës i mirë është Ai!”. Pra, i Dërguari i Allahut ﷺ i bëri vërejtje këtij personi për atë se tha: ” Më mjafton Allahu, sa Mbrojtës i mirë është Ai!”, edhe pse kjo thënie përmban përmendje të Allahut. Mirëpo, në këtë rast, ajo flet për paaftësi dhe pesimizëm, e besimtari nuk duhet të jetë pesimist apo i paaftë. Në një hadith autentik qëndron: ”Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu se sa besimtari i dobët. Prej çdonjërit prej tyre ka mirësi. Ji i kujdesshëm ndaj asaj që të sjellë dobi, kërko ndihmë prej Allahut, dhe mos u bën i paaftë”. Muhamed Ikbali, një poet dhe filozof, ka thënë: ”Besimtari i dobët ankohet për caktimin e Allahut, e besimtari i fuqishëm beson se ajo që ka ndodhur është caktimi i Allahut që nuk kthehet prapë dhe gjykimi i Tij që nuk nënshtrohet”.
Së këtejmi, o vëlla i dashur, flake nga vetja jote paaftësinë dhe analizoje gjendjen tënde, pse je në atë gjendje? Ndoshta ke ndonji dobësi të caktuar e cila ta ndalë rrugën. Ti je njeriu më i thirrur për veten dhe më i aftë që t’i evitosh mangësitë dhe boshllëqet që i ke. Ato mund të jenë të kamufluara me ambalazhe të ndryshme, por mendjemprehti duhet t’i zbulojë e jo ta nxjerrë veten gabim. Ji i sinqertë me veten tënde dhe luftoje epshin, përmirësoje rrugën e jetës, ngase Allahu është me ty. Nëse ke vullnet të sinqertë, qartësohet rruga. E ka thënë të vërtetën Allahu i Madhërishëm: ’’E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bëmirësve”.(Ankebut: 69).
4. Pesimizmi nuk është shenjë e besimtarëve. E vërteta e katërt është se pesimizmi nuk është shenjë e besimtarëve. Besimtari asnjëherë nuk i humb shpresat në ndihmën e Allahut dhe në asnjë moment nuk mendon se mëshira e Allahut është prerë prej tij, sado që të ngushtohet, sado që t’i mbyllen dyert dhe të mos shohë zgjidhje. Pesimizmi është derivat i mosbesimit e prerja e shpresave është manifestim i devijimit. Allahu i Madhërishëm përmes gjuhës së Jakubit alejhis-selam ka thënë: ’’O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun. (Jusuf: 87)’’. Jakubi u shpreh kështu edhe pse se Jusufi para shumë vitesh ishte humbur, nuk kishin lajme se çka kishte bërë. Pra, peri i shpresës nuk ishte këputur në zemrën e tij dhe shkëndijat e shpresës në mëshirën e Allahut nuk ishin shuar.
Poashtu, Allahu i Madhërishëm, përmes gjuhës së Ibrahimit të cilin e përgëzuan melekët me një djalë të ditur, ndërkaq gruaja e tij ishte plakë dhe sterile, e edhe ai kishte arritur vite të pleqërisë, ka thënë: ’’Ai (Ibrahimi) tha:”A më merrni myzhde kur më ka kapluar mua pleqëria? Me çka po më përgëzoni ju?”Ata thanë:”Ne të morëm myzhde me atë që është e sigurt e ti mos u bën i pashpresë!”Thuaj:”Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur” (Hixhr: 54-56)’’. Plaku i shtyrë në moshë, dhe gruaja e tij e vjetër dhe sterile, nuk i humbën shpresat se do të lindin një fëmijë të dalluar, ngase Allahu i Madhërishëm kur do diçka, ia mundëson kushtet dhe ia largon pengesat nga rruga. Për atë, edhe ti vëllau i nderuar, mos i humb shpresat që të të përmirësohet gjendja dhe e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Kjo, ngase prej ligjeve të Allahut është që të ndërrojnë kohërat dhe gjendjet e njerëzve. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’Ne, këto ditë i ndërrojmë mes njerëzve…’’.(Ali Imran: 140).
Edhe njerëzit, që nga kohët më të hershme, kanë thënë: ”Dynjaja është rrotull, herë mirë e herë keq.”. Të gjithë ne kemi parë me sytë tonë njerëz të cilët kanë pësuar ndryshime të mëdha, gjegjësisht disa pasanikë janë bërë fukara, e disa fukara janë bërë pasanikë; disa që kanë patur pushtet janë poshtëruar, e disa që kanë qenë të poshtëruar, janë ngritur lart. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’…mirëpo pas vështirësisë Allahu sjell çlirim (begati)’’ ; ‘’E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi.Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi’’(Inshirah: 5-6). Ibn Mes’udi ka thënë: ”Sikur të hynte vështirësia në një vrimë, lehtësia do ta ndiqte, kudo që të ishte”.
Përgatiti: Dr. Bashkim Aliu