Pyetja:

Motra ime është e fejuar me një vëlla musliman mirëpo nuk falet rregullisht ai djali. Mirëpo ky djalë është në Evropë duke punuar dhe ka qenë i martuar po tani është i ndarë me atë grua që ka pas, motra ime është e mbuluar dhe fal 5 namazet mirëpo kjo ka vendos të bëj kurorë islame me hoxhë. A i lejohet kësaj që burri që ka kurorë jo islame me një të huaj ta bëj edhe me motrën time edhe pse ai nuk jeton me atë te huajën që e ka pas janë nda mirëpo ende kanë kurorë?

***

Përgjigjja:

I tërë falenderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ.

Së pari, dashtë Allahu motra juaj bëhet shkak që ta shtyej burrin e vet të falë pesë kohët e namazit duke e këshilluar.

Së dyti, është një veprim shqetësues që disa të rinj muslimanë bëjnë kurorë me femra të huaja jomuslimane në perëndim, vetëm për letra. Kjo nuk lejohet, ngase martesa dhe shkurorëzimi nuk janë lojë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Tre gjëra edhe kur janë serioze janë valide, po edhe kur janë me shaka janë valide. Kurorëzimi, shkurorëzimi dhe lirimi i robit”.

Pra, ai që ven kurorë me një grua, edhe pse e ka për qëllim vetëm letrat, nëse dëshmojnë dhe deklarojnë se e kanë pranuar njëri-tjetrin për bashkëshortë, ata janë të martuar dhe për ta vlejnë rregullat e martesës. Për atë, kjo çështje nuk duhet të merret lojë, por duhet të jenë shumë të kujdesshëm se bëjnë gabime në aspektin fetar.

Së treti, për sa i përket kurorës së motrës suaj, normalisht se ajo mund të ven kurorë me hoxhë, ngase edhe nëse ai person është në kurorë me grua tjetër, ajo mund të ven kurorë, sepse në Islam lejohen dy gra. Në rastin tuaj, ju thoni se ai është i ndarë nga gruaja e mëparshme që e ka martuar për letra, atëherë kjo as që diskutohet se lejohet të bëjë martesë edhe me motrën tuaj. Mirëpo, unë do të rekomandoja që ai person të ndahet edhe me gjyq sa ma parë, ngase nëse ka kurorë me atë gruan e parë ende në gjyq, ajo konsiderohet gruaja e tij para ligjit në perëndim, e jo motra juaj. Këtë e them nga shkaku se edhe unë jam momentalisht në perëndim dhe e di si rrjedhin punët këtu.

Pastaj, jeta e njeriut nuk dihet. Ai mund të martohet me motrën tuaj me hoxhë, dhe kjo është kurorë valide, e mund të ketë edhe fëmijë, por nëse ndodh që të vdes, gruas që ka niqah me hoxhë nuk i takon asgjë nga pasuria e tij, gjithë ajo i takon asaj gruas së perëndimit me të cilën ka kurorë në gjyq. Kjo ka ndodhur shpesh herë dhe kanë pësuar fëmijët dhe gruaja që ka qenë me niqah me hoxhë. Rast i këtillë shpejt ndodhi edhe këtu në Zvicër në kantonin e Cyrihut, për atë u rekomandoj që shkurorëzimi me të parën dhe kurorëzimi me të dytën të bëhet edhe në organet kompetente në vendin ku gjendet personi në fjalë.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu