Pyetja:

A pengon në abdes mbjellja e qerpikëve?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Lavd i qoftë Allahut! Përshëndetjet e Allahut dhe melekëve të Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Në parim, vendosja e këtyre qerpikëve nuk lejohet fare, përveçse në rast domosdoshmërie, sepse një gjë e tillë është e ndaluar me thënien e Pejgamberit ﷺ, të cilën e ka transmetuar Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Allahu i mallkoftë ato që ua bëjnë tatuazhin tjetrës dhe ato që kërkojnë t’u bëhet tatuazhi, si dhe ato që ia zgjasin (vazhdojnë) flokët tjetrës (me flokë të tjerë) dhe ato që kërkojnë t’u zgjaten flokët e tyre!”.[1] Pra, ky hadith tregon qartazi ndalimin e çdo lloj zgjatjeje të qimeve, qoftë qimeve të flokëve që janë përmendur në hadith, qoftë qerpikëve.

Po ashtu, Pejgamberi ﷺ në një hadith tjetër, ka ndaluar edhe ndukjen e vetullave, madje, njëjtë si në hadithin paraprak, i ka mallkuar ato që ndukin vetullat e tyre; shiko përgjigjen e mëhershme https://pergjigje.net/a-lejohet-shkulja-dhe-rregullimi-i-vetullave/

Kurse, nëse tani vetëm e keni bërë një gjë të tillë, merrni abdes dhe abdesi juaj është në rregull, por mos e veproni më mbjelljen e qerpikëve në të ardhmen dhe luteni Allahun që t’ju largoj nga kjo vepër dhe vepra të tjera me të cilat Ai nuk është i kënaqur.

Allahu e di më së miri!

Hekuran Helshani

—————————————–

[1] Buhariu, 5942.