Martesat mes të njëjtës gjini dhe po ashtu çdo marrëdhënie mes tyre edhe nëse nuk është në kornizën e martesës është devijim i njohur i natyrës njerëzore.
Ky lloj devijimi për herë të parë në Tokë është shfaqur në kohën e Profetit Lut -alejhi selam- te populli i Sedumit, historia e të cilit është përmendur si në Kuran ashtu edhe në Teurat.
Historia e popullit të Lutit -alejhi selam
Allahu i Madhëruar tregon se Ibrahimi -alejhi selam-, pas thirrjes për në besimin e pastër, larg shirkut idhujtarisë që i bëri popullit të tij në Babiloninë e Vjetër dhe refuzimit të tyre thirrjen e tij, emigroi bashkë me gruan e tij Sarën dhe birin e vëllait të tij Lutin për në Palestinë, e cila është pjesë e Shamit.
Ibrahimi bashkë me Lutin dhe Sarën u vendosen në qytetin Hebron, i cili sot mban emrin e tij ‘El-Khalil’ që do të thotë “Qyteti i të Dashurit të Allahut”, 35 km në jug të xhamisë së begatë Aksa.
Më pas kur u shfaq shfrenimi në popullin e Sedumit, i cili është një vend jo shumë larg Hebronit, Allahu i Madhëruar e dërgoi Lutin -alejhi selam- në këtë vend për tiu përcjellë atyre mesazhin e Allahut dhe qortimin e Tij për atë vepër të ndyrë, siç thuhet në Kuran:
“Përkujto kur vëllai i tyre, Luti u tha: ‘A nuk i frikësoheni (Allahut)?! Unë jam i Dërguar i besueshëm te ju, prandaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!” sure Esh-Shuara: 161-163.
Në një ajet tjetër qortimi i tij qartësohet më mirë dhe thuhet:
“(Kujto) edhe Lutin, kur iu drejtua popullit të tij: A po bëni të shëmtuarën, vepër që askush në botë para jush nuk e ka vepruar. Ju shkoni me burra duke lënë gratë. Jo, ju jeni popull që i keni kaluar kufijtë” sure El-Araf: 80-81.
Dhe në një ajet tjetër tregohet se ai u ka thënë:
“Si shkoni me meshkujt dhe lini gratë të cilat i ka krijuar Allahu për ju?! Jo, ju i keni kaluar kufijtë!” sure Esh-Shuara: 165-166.
Populli i Sedumit -sikurse njoftojnë historianët-, përveç kësaj poshtërsie morale kishin edhe poshtërsi të tjera si: idhujtaria dhe grabitja e udhëtarëve, çfarë do të thotë se shfrenimi i tyre vinte si rezultat i shfrenimit në besim, sepse në një shoqëri që njeh besimin dhe rregullat e Allahut, nuk mund të ndodhin të tilla gjëra.
Luti -alejhi selam- e qortoi dhe e këshilloi popullin e tij pa u lodhur, derisa ata e kërcënuan për ta dëbuar nga ai vend dhe ai atëherë iu drejtua Allahut të Madhëruar me lutje që t’i dënojë ata dhe ta shpëtojë atë dhe familjen e tij. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ata i thanë atij: Nëse nuk ndalon, o Lut, do t’ju dëbojmë. Atëherë ai iu tha: Unë e urrej punën tuaj. O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time prej punëve të tyre!” sure Esh-Shuara: 167-169.
Allahu i Madhëruar e dëgjoi lutjen e Lutit -alejhi selam- dhe nisi melaiket (engjëjt) të cilët erdhën te Luti në pamjen e djelmoshave të rinj.
Luti kur i pa ata i kujtoi për miq dhe u frikësua shumë për ta prej popullit të tij, se mos e turpërojnë siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“Kur i erdhën të dërguarit tanë Lutit, ai u mërzit, u frikësua dhe tha: Kjo është ditë e vështirë” sure Hud: 77.
Lajmi i ardhjes së disa djemve të rinj miq te Luti -alejhi selam- u përhap te njerëzit dhe mendohet se këtë lajm e ka përhapur gruaja e Lutit -alejhi selam- e cila nuk ishte në një besim me të, prandaj dhe ajo u dënua me këtë popull siç do të vijë më poshtë. Dhe kështu, ata të gëzuar për këtë gjë vijnë te Luti -alejhi selam- për të bërë punët e tyre të ndyra me ta, ndërsa Luti -alejhi selam- për të mbrojtur miqtë e tij hyn në debat me ta, mirëpo melaiket e qetësojnë duke i treguar se kush janë dhe pse kanë ardhur siç thotë Allahu në Kuran:
“Ata (melaiket) i thanë: ‘Ne jemi të dërguarit e Allahut dhe ata nuk do të arrijnë dot tek ti. Shpejto që më natë (për tu larguar) ti dhe familja jote dhe askush të mos e kthejë kokën mbrapa, me përjashtim të gruas tënde. Atë ka për ta gjetur ajo (e keqja) që do t’i gjejë ata. Afati juaj është deri në agim dhe agimi nuk është larg’ Sure Hud: 81.
Melaiket (engjëjt) pasi e qetësojnë Lutin dhe i përcjellin atij mesazhin e Allahut, dalin, ua verbojnë sytë njerëzve dhe largohen, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“Ata u munduan të bëjnë ndyrësi me miqtë e tij, por Ne ua verbuam sytë. Pra, shijojeni dënimin dhe paralajmërimet e Mia” sure El-Kamer: 37.
Luti -alejhi selam- u largua bashkë me familjen e tij para se të gdhinte dhe kur lind dielli, atyre u erdhi dënimi i Zotit, i cili shkatërroi gjithçka, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“Ata i mbërtheu krisma sapo lindi dielli. Vendin ua kthyem përmbys dhe mbi ta lëshuam shi gurësh të fortë. Në këtë ngjarje ka mësime për ata që mendojnë” sure Hixhr: 73-75.
Ibn Kethiri historiani i madh i Islamit -Allahu e mëshiroftë- në përfundim të kësaj historie thotë:
“Allahu i Madhëruar e bëri atë vend det të shkretë (sepse mbi këtë vend është formuar Deti i Vdekur i Jordanisë), ku s’ka dobi as prej ujit të tij dhe as prej tokave që janë përreth, për shkak të llojit të keq të saj. Ai e bëri atë popull shembull për të tjerët dhe tregues së fuqisë, madhështisë dhe ngadhënjimit të Tij kundër kundërshtarëve dhe përgënjeshtruesve të Profetëve”.
Marrëdhëniet mes të njëjtës gjini në fjalët e Profetit Muhammed -alejhi selam-.
Ibn Abbasi -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“I mallkuar është ai që shanë babanë e tij.
I mallkuar është ai që shanë nënën e tij.
I mallkuar është ai që bën kurban për dikë tjetër veç Allahut.
I mallkuar është ai që ndryshon kufijtë e tokave.
I mallkuar është ai që ia humb rrugën një të verbri.
I mallkuar është ai që bën kontakte me kafshët.
Dhe i mallkuar është ai që bën si populli i Lutit”
E transmeton Hakimi dhe e saktëson Shejh Albani.
Po ashtu Umeri -radiallahu anhu- thotë:
“Katër lloje njerëzish ngrysen dhe Allahu i është i zëmëruar me ta dhe gdhijnë dhe Allahu është i zemëruar me ta:
Ata burra që u ngjasojnë grave.
Ato gra që u ngjasojnë burrave.
Ai që kryen marrëdhënie intime me një kafshë.
Dhe ata që bëjnë punën e popullit të Lutit”
E transmeton Said bin Mensur dhe janë fjalë të perfituara nga dija profetike.
A janë animet nga e njëjta gjini ves i lindur apo i fituar?
Shumë njerëz mundohen ta trajtojnë këtë dukuri si ves të lindur i atyre njerëzve që e kanë, sidomos ata aktivistë që kërkojnë të drejtat e tyre.
Allahu i Madhëruar njofton se çdo gjallesë e kësaj bote është e krijuar çift siç thuhet në Librin e Allahut: “Çdo gjë e kemi krijuar çift që ju të kujtoheni!” sure Dharijat: 49.
Edhe njeriu si gjallesë e kësaj bote të krijuar është çift, gjë të cilën Allahu i Madhëruar e ka quajtur mrekulli të Tij: “Dhe prej mrekullive të Tij është se Ne ju kemi krijuar nga lloji juaj bashkëshorte, që të preheni tek ato dhe kemi bërë mes jush dashuri dhe mëshirë. Në këtë gjë ka mrekulli për ata që meditojnë” sure Er-Rum: 21.
Pra siç shihet, nuk ka vend në krijimin e Allahut gjinia e tretë, krijimi i Allahut është: ose mashkull i krijuar me funksionet e mashkullit, ose femër e krijuar me funksionet e femrës, çka do të thotë se ky ves është i fituar dhe jo i lindur.
Këtë lloj argumentimi e përdori edhe Luti -alejhi selam- siç u pa më lart kur iu drejtua popullit të tij: “Si shkoni me meshkujt dhe lini gratë të cilat i ka krijuar Allahu për ju?! Jo, ju i keni kaluar kufijtë.”
Ky ves mund të fitohet tek njerëzit që nuk njohin ligjet e Allahut, sepse duke u larguar nga Allahu bien viktimë e Shejtanit, deri në atë pikë sa të ndryshojnë edhe natyrën e tyre. Allahu i Madhëruar na ka njoftuar për këtë gjë në Librin e Tij kur thotë: “Atë (Shejtanin) e mallkoi Allahu. Ai tha: Patjetër do të marr një pjesë prej robërve të tu dhe do t’i humbas. Do tu premtoj atyre të mira mashtruese, do t’i urdhëroj ata që ti presin veshët e bagëtive dhe do t’i urdhëroj ata që ta ndryshojnë krijimin e Allahut. Kush e merr Shejtanin për mik duke lënë Allahun, është shkatërruar me një shkatërrim të qartë. Ai ju premton dhe ju jep shpresa, por Shejtani nuk premton veçse mashtrime. Të tillët vendstrehim kanë Xhehenemin dhe nuk ka për ta vend tjetër” Sure En-Nisa: 118-121.
Dikush mund të pyesë: Përse në jetën e përditshme shohim disa njerëz që janë meshkuj por që kanë cilësi femrash, apo femra që kanë cilësi meshkujsh, madje nganjëherë edhe pamja e tyre të mashtron?
Këta lloj njerëzish njihen në legjislacionin islam si “El-Khuntha”, por nuk përbëjnë specie në vete, sepse janë çrregullime, sikurse ka çrregullime edhe në gjëra të tjera veç gjinisë.
Në legjislacionin islam “El-Khuntha” është dy llojesh:
Lloji i parë: El-Khuntha me organe gjinore të dallueshme, ose mashkullore, ose femërore por ka çrregullime nga ana morale dhe pamja, ose nga njëra prej tyre. Atëherë ky lloj pa asnjë kundërshtim mes dijetarëve i përket asaj gjinie që kanë organet e tij gjinore dhe në asnjë mënyrë nuk mund të kalojë në gjininë tjetër.
Lloji i dytë: El-Khuntha që nuk i dallohen organet gjinore atëherë ky njeri nuk bën të martohet sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Në kohët e sotme me përparimin e mjekësisë mundet të bëhen edhe ndërhyrje kirurgjike për t’i dhënë atij gjininë nga e cila anon më tepër, sidomos kur defektet janë të vogla dhe mund të bëhet: ose mashkull i vërtetë ose femër e vërtetë.
Shkaqet e devijimeve seksuale.
Allahu i Madhëruar kur ndalon një punë, ndalon edhe çdo gjë që të çon tek e ndaluara, dhe kjo është prej veçorive që i dallojnë ligjet e Allahut nga ligjet e vendosura nga njerëzit. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar për të penguar ndryshimin e natyrës njerëzore në lidhje me anën seksuale, ka vënë disa rregulla:
1- Ndarja e fëmijë në krevat.
Fëmijët, kur arrijnë të dallojnë (mes gjërave të dëmshme dhe të dobishme), nuk duhet të flenë në krevate të përbashkëta edhe pse nuk kanë arritur moshën e pjekurisë. Abdullah bin Amr bin El-As radiallahu anhu, tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj për namaz kur të jenë shtatë vjeç dhe rrihini ata për namaz kur të jenë dhjetë vjeç dhe ndani mes tyre në vendet e gjumit” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
2- Ndalimi i qëndrimit me fëmijët e njomë kur ngjallin epsh.
Ibn El-Xheuzi -Allahu e mëshiroftë- thoshte: ‘Të parët e këtij ymeti thoshin për fëmijët e njomë se janë sprovë më e madhe sesa sprova e vashave të njoma.’
Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: ‘Kush e lejon qëndrimin me ta kur ngjallin epsh, ka dalë nga feja e Allahut pa asnjë kundërshtim mes dijetarëve.’
3- Ndalimi i shikimit te aureti i tjetrit.
Është e ndaluar në Islam të shohësh dikush te aureti i tjetrit (pjesët e turpshme).
Ebu Said el Khudri -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Të mos shohë burri te aureti i burrit dhe as gruaja te aureti i gruas”. E transmeton Muslimi.
Nuk përjashtohet nga ky ndalim veçse mjeku besnik kur është e nevojshme, siç thotë imam El-Begauij: ‘Nëse dikush ka një sëmundje në auret, i lejohet mjekut besnik ta kontrollojë siç bëhet në rastin e synetllëkut (rrethprerja)’.
4- Ndalimi i fjetjes së dy vetave poshtë një mbulese.
Ebu Said el Khudri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Të mos futet burri me një burrë tjetër poshtë një mbulese dhe as gruaja me një grua tjetër poshtë një mbulese” E transmeton Muslimi.
5- Ndalimi i kontakteve nga mbrapa.
Khuzejme bin Thabit -radiallahu anhu-, thotë se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu nuk ka turp nga e vërteta. Mos shkoni me gratë në prapanicat e tyre!” E transmeton Imam Amedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson Shejh Albani.
Abdullah bin Amr bin El-As tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Shkuarja me gratë në prapanicat e tyre është pederastia e vogël (punë që të çon te pederastia e madhe)” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani.
Kur është pyetur Tausi (dijetar në kohën e tabiinëve i vdekur në vitin 106 H) për kontaktet me gratë nga mbrapa, ka thënë: “Ato janë mohim (kufr). E dini me se e ka filluar populli i Lutit -alejhi selam- vesin e tyre? E bënë këtë gjë me gratë pastaj burra me burra”.
6- Ndalimi i puthjes dhe prekjeve të atyre pjesë të trupit që ngjallin epsh.
Puthjet me epsh janë vetëm për bashkëshortet dhe në çdo pjesë e trupit të tyre është e lejuar puthja, ndërsa për të tjerët puthjet nuk duhet të jenë në ato pjesë të trupit që ngjallin epsh, si goja apo pjesë të tjera delikate të trupit.
Profeti -alejhi selam- kur puthej me njerëzit edhe pse nuk ka qenë adet (zakon) i përhershëm i tij i puthte ata në ballë, mes dy syve.
a- Puthja e burrit me burrë dhe përqafimi.
Profeti -alejhi selam- kur takohej me burrat u jepte dorën dhe nuk puthej me ta e as përqafohej, veçse në raste të rralla pas një mungese të gjatë takimi.
Enes bin Maliku radiallahu anhu tregon se një burrë e pyeti Profetin -alejhi selam-: “Kur dikush prej nesh takohet me shokun e tij, t’i përulet? Ai i tha: ‘Jo.’ Burri pyeti përsëri: ‘Ta përqafojë dhe ta puthë?’ Ai i tha: ‘Jo’. Burri pyeti përsëri: ‘T’ia japë dorën?’ Ai i tha: ‘Po.’” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson Shejh Albani.
Përjashtimi i mungesës së gjatë është marrë nga takimi i Profetit -alejhi selam- me Xhafer bin Ebi Talibin siç thotë Ebu Xhuhajfe radiallahu anhu: “Kur u kthye Xhaferi nga emigrimi i tij në Etiopi, e priti atë Profeti – -alejhi selam- , e përqafoi dhe e puthi në ballë mes dy syve” E transmeton Taberani dhe e saktëson Shejh Albani.
b- Puthja e burrit me femra që nuk i lejohet martesa me to si: bijat, motrat, tezet, hallat etj.
Aisha radiallahu anha tregon se: “Fatimja radiallahu anha (bija e Profetit -alejhi selam-) kur vinte te Profeti – -alejhi selam-, ai ngrihej për ta pritur, e puthte dhe e ulte atë pranë vetes.” E transmeton Buhariu.
Is’hak bin Rahaueih thotë: ‘Nuk duhet bërë kjo gjë asnjëherë në gojë por në ballë ose në kokë.’
7- Shpejtimi i martesave.
Profeti -alejhi selam- i ka këshilluar të rinjtë të martohen herët, siç tregon Abdullah bin Mes’ud radiallahu anhu se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi për tu martuar prej jush le të martohet, sepse ajo është perde për sytë dhe mburojë për auretin dhe kush nuk ka mundësi për të, le të agjërojë se agjërimi është prerje (e epshit).”
Domethënia e kësaj fjale është: Bëje njeriun të preokupohet me hallall që të mos preokupohet me haram, sepse kush nuk i gjen një strehë ndjenjave të tij në hallall, do të mundohet t’ia gjejë atë në haram, ose me femra jashtë kurore, ose me meshkuj duke dalë fare nga natyra njerëzore.
Nëse do të ruhen këto rregulla të Allahut në mesin e njerëzve, nuk do të ishte më problem devijimi seksual, sepse 99 % e rasteve të saj vijnë nga mosruajtja e këtyre rregullave, dhe nuk mbeten veçse rastet me çrregullime të lindura dhe ato mund të vihen nën kontroll. Dhe nuk na mbetet tjetër veçse të themi se njerëzimi nuk do të ndihet i lumtur derisa të zbatohen ligjet e Allahut në tokë, siç thotë Vetë Allahu në Kuran: “A mos duan ligjet e injorancës?! E ku ka ligje më të mira se të Allahut për një popull që dinë të dallojnë” sure El-Maide: 50.
Dënimi për devijimet seksuale.
Një fjalë e urtë thotë: Kush paralajmëron e ka justifikuar veten. Pak më lart treguam historinë e Lutit -alejhi selam- se Allahu para se të dënonte popullin e tij, e qortoi dhe këshilloi dhe kur qortimi nuk u bëri dobi atëherë i dënoi. Mbi këtë bazë është ndërtuar çdo dënim në Islam: Allahu i Madhëruar e ka kritikuar këtë dukuri në Librin e Tij. Profeti -alejhi selam- po ashtu e ka kritikuar atë në fjalët e tij. Dijetarët po ashtu e kanë kritikuar atë duke i përcjellë mësimet e Allahut dhe të Profetit të Tij te njerëzit, atëherë kush nuk përgjigjet e meriton të dënohet.
Në Islam në lidhje me këtë dukuri ka dënim të rreptë:
Ibn Abasi radiallahu anhu, tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Këdo që gjeni duke bërë punën e popullit të Lutit vriteni si atë që e bën dhe atë që i bëhet” E transmeton Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson Shejh Albani.
Ebu Hurejra -radiallahu anhu-, tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë për ata që bëjnë punën e popullit të Lutit -alejhi selam-:
“Gjuajini me gurë që të dy: atë që është lart dhe atë që është poshtë” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson Shejh Albani.
Ky dënim i rëndë i caktuar nga Sheriati ka ardhur në këtë mënyrë në përputhje me shëmtinë e kësaj punë të keqe e cila bie në kundërshtim me natyrën e krijimit.
Koha e paturpësisë.
Sot jetojmë në kohën e paturpësisë, sa askush nuk ka turp të thotë fjalën më të shëmtuar, apo të bëjë veprën më të shëmtuar. Kur njerëzit ushqehen me mosbesim dhe mohim të ekzistencës së Allahut dhe të ligjeve të Tij, boshatiset njeriu nga turpi dhe ndërgjegjja. Profeti -alejhi selam- thotë: “Prej fjalëve që kanë mbërritur te njerëzit prej profetësisë së hershme është: ‘Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash!’” E transmeton Buhariu.
Besimi me turpin kanë lidhje të ndërsjella me njëri-tjetrin, siç thotë Profeti -alejhi selam- : “Turpi dhe besimi janë bashkë. Kur ikën njëri, ikën edhe tjetri” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Shejh Albani.
Arritja e njerëzve deri në këtë gradë, do të thotë afrim i Kohës së Fundit të dynjasë, siç thotë Profeti – -alejhi selam-: “Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti i Muhamedit, nuk ka për të ardhur Dita e Kiametit derisa të përhapet fjalori i ndyrë” E transmeton Hakimi dhe e saktëson Shejh Albani.
Enesi radiallahu anhu tregon se Profeti – -alejhi selam- – ka thënë: “Kur të shfaqen në umetin tim pesë gjëra, ata do të shkatërrohen: Kur të mallkojnë njëri-tjetrin. Kur të pijnë alkoolin. Kur burrat të veshin mëndafshin. Kur të marrin këngëtare për argëtim. Dhe kur të mjaftohen burrat me burrat dhe gratë me gratë” E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson Shejh Albani.
Së fundi, i lutemi Allahut të Madhëruar të na ruajë ne dhe familjet tona nga ndyrësia, sepse ajo është shkatërrim në këtë botë dhe humbje e Ahiretit (Botës Tjetër)! Amin!
Hixhë Dr. Abdullah Nabolli